Lionel Messi është një lojtar që nuk do të përsëritet kurrë, ka thënë Ander Herrera i Real Zaragozës, i cili këmbëngul se gjatë gjithë karrierës së tij nuk ka parë asgjë të ngjashme me argjentinasin.
Në sytë e tij, Neymar përfaqëson magjinë e futbollit, ndërsa Kylian Mbappe është një “superhero”.
Spanjolli 37-vjeçar i bëri këto komente gjatë një interviste të gjatë me ish-mbrojtësin e Anglisë, Rio Ferdinand, ku foli për periudhën e tij aktuale te Zaragoza dhe një karrierë që e çoi tek Athletic Bilbao, Manchester Unitedi, Paris Saint-Germaini dhe Boca Juniors.
Duke folur për gazetën spanjolle “Marca”, Herrera tha për Messin: “Është diçka që nuk do ta shohim më”.
Herrera ndau dhomën e zhveshjes me Messin në Paris. Kur Ferdinandi i përmendi tre prej yjeve të PSG-së, Messin, Neymarin dhe Mbappen, mesfushori bask shtoi edhe një emër të katërt: “Angel Di Maria”. Megjithatë, ai vazhdonte t’i kthehej Messit si lojtari me të cilin nuk kishte parë askënd të krahasueshëm.
Herrera shpjegoi se madhështia nuk kufizohej vetëm në ditët e ndeshjeve. Ajo që e veçonte argjentinasin ishte aftësia për ta arritur nivelin më të lartë çdo ditë të javës.
“Sa herë e humbiste topin në stërvitje? Asnjëherë. Ishte çmenduri. Leo, çdo ditë!”, tha ai.
Sipas Herrerës, po aq e rëndësishme është edhe ta dish rolin tënd. Duhet të kuptosh se kush është ylli i skuadrës dhe më pas të gjesh mënyrën se si ta ndihmosh.
Ai tha: “Yjet janë yje. Mendoj se e kisha empatinë e nevojshme për të luajtur me ta. Duhet të dish t’u krijosh hapësirë, sepse nëse unë e bëj punën time, ata do të më bëjnë më të mirë. Messi dhe Neymar duan t’ua japësh topin dhe të jesh aty në rast se ata kanë nevojë të ta kthejnë”.
Po sa e vështirë është ta menaxhosh një dhomë zhveshjeje të mbushur me lojtarë të atij kalibri?
“Është e vështirë, por jo e pamundur. Ancelotti e bëri këtë te Real Madridi me Cristiano Ronaldon, me Balen, me Benzeman dhe me Sergio Ramosin…”, shtoi ai.
Herrera vuri në dukje se Luis Enrique ndoqi rrugën e kundërt, duke hequr dorë nga yjet, sepse ata mund t’i krijonin probleme.
“Dhe shikoni se çfarë arriti me Paris Saint-Germainin”, përfundoi ai.