“Nuk jam i interesuar fare për të”, legjenda e Unitedit e injoron Haalandin, thotë se ai s’i duhet “Djajve të Kuq”
“Nuk jam i interesuar fare për të”, legjenda e Unitedit e injoron Haalandin, thotë se ai s’i duhet “Djajve të Kuq”
Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Paul Parker, ka bërë një deklaratë befasuese lidhur me Erling Haalandin, duke sugjeruar se nuk do të dëshironte ta shihte sulmuesin me numra të jashtëzakonshëm në “Old Trafford”.
Pavarësisht paraqitjeve rekord të norvegjezit në anën tjetër të qytetit, në “Etihad Stadium”, Parker beson se “Djajtë e Kuq” kanë nevoja më urgjente në repartet e tjera të fushës.
Në një botë futbolli ku pothuajse çdo klub elitar është i dëshpëruar për të siguruar një golashënues të kalibrit të Haalandit, Parker ka paraqitur një mendim të kundërt, i cili me siguri do të nxisë debat mes tifozëve të “Old Traffordit”.
Ish-mbrojtësi i krahut të Manchester Unitedit, i cili kaloi një periudhë të suksesshme dhe fitoi shumë trofe me klubin në fillim të viteve 1990, ka deklaruar se do ta refuzonte aktivisht mundësinë për ta transferuar yllin e Manchester Cityt te “Djajtë e Kuq”.
Ndonëse statistikat e Haalandit mbeten të paarritshme në epokën moderne, Parker nuk është i bindur se profili i sulmuesit përputhet me atë që ai dëshiron të shohë nga një skuadër e Unitedit.
Duke folur për një transferim të mundshëm të norvegjezit, Parker dha një vlerësim të drejtpërdrejtë lidhur me preferencat e tij për skuadrën.
“Gjithsesi, ndoshta nuk është realiste, por unë nuk do ta merrja Haalandin te Manchester Unitedi. Nuk do të dëshiroja ta shihja në klub, për shkak të mënyrës se si luan. Do të thosha jo për të. Ai është një emër që të gjithë e shikojnë lehtësisht, por unë nuk do ta bëja këtë. Madje, as që më intereson”, deklaroi ai për “Mirror”.
Në vend që të përqendrohet te transferimet e bujshme në repartin ofensiv, Parker beson se përparësia e Manchester Unitedit duhet të jetë stabilizimi i mbrojtjes.
Ai ka veçuar dy lojtarë që, sipas tij, do t’i sillnin forcën dhe qetësinë e nevojshme një reparti defensiv që shpesh është dukur i cenueshëm.
Ai shprehu interesim të qartë për këta futbollistë, duke thënë: “Unë do t’i shikoja Nico O’Reillyn dhe Marc Guehin. Nico O’Reilly është një lojtar i jashtëzakonshëm. Elliot Anderson nuk më intereson aspak. Guehi nuk është lojtari që ishte te Crystal Palace, por Manchester Unitedit i duhet të rregullojë repartin e mbrojtjes dhe ai është lojtari që do ta shikoja”.
Debati rreth Haalandit dhe Manchester Unitedit nuk është i ri, ndërsa ish-trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka folur më parë për atë se sa afër ishte klubi për ta siguruar shërbimin e sulmuesit, përpara se çmimi i tij të rritej ndjeshëm.
Solskjaer kishte punuar me bashkëkombësin e tij gjatë kohës kur të dy ishin te Molde dhe e kishte kuptuar potencialin e sulmuesit shumë përpara se pjesa tjetër e botës ta zbulonte.
Solskjaer shpjegoi kronologjinë e këtyre ngjarjeve, duke treguar se kishte kontaktuar me klubin që në vitin 2018.
“E kisha atë [Haalandin] te Molde për dy sezone. Në verën para se të vija këtu, e telefonova klubin dhe thashë: ‘Duhet ta transferoni këtë djalosh. Ai do të jetë i një niveli të jashtëzakonshëm’. Ishte qershor ose korrik i vitit 2018 dhe ata thanë jo. Kishin mjaftueshëm raporte për lojtarët”, kishte thënë ai.
Ai shtoi: “Më pas u bëra trajner i përkohshëm dhe ne e kishim shitur Haalandin te RB Salzburgu. Menjëherë i thashë klubit që ta blinte, derisa ai kishte një klauzolë lirimi. Ne e dinim këtë në atë kohë dhe askush tjetër nuk do t’i paguante 20 milionë eurot; do të ishte një pazar i vërtetë. Ishte vendim i klubit që të mos vepronte atëherë. Ne nuk bëmë oferta dhe nuk u përpoqëm ta transferonim deri pasi ai filloi të shënonte për Salzburgun. Në atë kohë, Borussia Dortmundi ishte aty, Juventusi ishte aty, të gjithë ishin aty. Klauzola e tij e lirimit ende ishte e favorshme – 60 milionë euro”.