Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, realizoi sot një takim zyrtar në Dublin me Ministrin e Shtetit për Çështje Evropiane të Irlandës, Toma Brn. Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të vendit tonë.

Ministri Murtezani vlerësoi lart qëndrimin e palëkundur të Irlandës në mbështetje të zgjerimit të Bashkimit Evropian si një proces të bazuar në merita, pa pengesa apo kushtëzime bilaterale. Ai theksoi se ky qëndrim është një sinjal i fuqishëm për të gjitha vendet e rajonit, duke rikthyer besimin dhe shpresën në perspektivën evropiane. “Ministri Brn është një mik i sinqertë dhe mbështetës i fuqishëm i së ardhmes sonë evropiane. Irlanda qëndron qartë dhe zëshëm në anën e zgjerimit të BE-së si një proces që duhet të bazohet në kritere dhe jo në bllokime politike”, deklaroi Murtezani.
Në takim u diskutuan edhe reformat që po zbatohen në vend, si dhe mënyrat konkrete për të siguruar mbështetje për zbatimin e tyre përmes partneriteteve institucionale, ndihmës teknike dhe shkëmbimit të përvojave.

Një pikë e veçantë e diskutimit ishte përgatitja e Strategjisë së parë të Irlandës për Ballkanin Perëndimor, për të cilën Murtezani shprehu mirënjohje, duke e cilësuar si një instrument të rëndësishëm për mbështetjen më sistematike dhe afatgjatë të vendeve të rajonit.
Ministri gjithashtu theksoi gatishmërinë e vendit tonë për të bashkëpunuar ngushtë me Irlandën gjatë kryesimit të saj me Këshillin e BE-së në vitin 2026, në fusha kyçe si reformat, administrata publike, ekonomia, arsimi dhe kultura. “Na lidh një vlerë e përbashkët: besimi se Evropa duhet të jetë e qëndrueshme, e fuqishme dhe e unifikuar. Për këtë arsye vazhdojmë të punojmë për vendin, për qytetarët, për të ardhmen”, përfundoi Murtezani.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume