Mbi 100 të infektuar me Norovirus në anijen turistike “Caribbean Princess”
​Më shumë se 100 persona janë sëmurur nga norovirusi në anijen turistike Caribbean Princess, ka bërë të ditur Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Deri më tani, simptomat e infeksionit janë raportuar te 102 pasagjerë dhe 13 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa të prekurit janë ankuar për diarre dhe të vjella.

​Epidemia u raportua gjatë udhëtimit të kruzierës i cili zgjat nga 28 prilli deri më 11 maj. Sipas të dhënave nga faqja CruiseMapper, anija aktualisht ndodhet në pjesën veriperëndimore të Oqeanit Atlantik dhe po lundron drejt Puerto Plata-s në Republikën Dominikane, ndërsa në Port Canaveral të Floridës pritet të mbërrijë më 11 maj.

​Në anije ndodhen gjithsej 3,116 pasagjerë dhe 1,131 anëtarë ekuipazhi.
​Për shkak të përhapjes së infeksionit, ekuipazhi ka shtuar masat e pastrimit dhe dezinfektimit, ka izoluar pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të sëmurë, si dhe ka mbledhur mostra për testim, njoftoi CDC, siç raporton ABC News.

​Nga kompania Princess Cruises deklaruan se një numër i kufizuar personash kanë raportuar simptoma të lehta gastrointestinale gjatë udhëtimit.
​”Kemi dezinfektuar menjëherë të gjitha pjesët e anijes dhe kemi përforcuar masat higjienike gjatë lundrimit,” njoftoi kompania.
​Ata shtuan se pas mbërritjes në Port Canaveral, anija do t’i nënshtrohet një pastrimi dhe dezinfektimi të plotë e të detajuar përpara udhëtimit të radhës.
​Norovirusi është një virus shumë ngjitës që shpesh shkakton probleme gastrointestinale, dhe shpërthimet e tilla në anijet turistike nuk janë të rralla. Sipas CDC-së, kjo është tashmë epidemia e katërt e një sëmundjeje gastrointestinale e regjistruar në anijet turistike gjatë këtij viti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume