Rami Mislimi

Para 24 vitesh u krijua partia më e re shqiptare e dalë nga lufta. Emri i saj ishte dhe mbetet Bashkimi Demokratik për Integrim, një emër që mbarti vizionin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Për plot 24 vite, BDI ka qenë një nga partitë kryesore në vend, me themele të forta politike dhe organizative, duke lënë gjurmë në shumë projekte madhore që kanë ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e pozitës së shqiptarëve. Sot, kur kjo parti shënon gati dy dekada e gjysmë ekzistencë, ndoshta ka ardhur momenti që të rikthehet te vija e saj fillestare dhe të ecë e vetme në rrugën e integrimit dhe të sfidave të ardhshme politike.

Ky 24-vjetor mund të jetë edhe fillimi i një rrugëtimi të ri për BDI-në, një rrugëtim pa partnerë politikë shqiptarë e të tjerë për të dëshmuar se forca e saj buron nga baza e gjerë dhe nga trashëgimia politike e dalë nga UÇK-ja. Njëkohësisht, ky përvjetor duhet të shënojë guximin e një lidershipi që gjithmonë ka hyrë në beteja politike pa iu trembur humbjes, por që edhe në rast humbjeje do të duhej ta mbante atë me dinjitet, pa kërkuar fajtorë te të tjerët.
Gjatë këtyre 24 viteve, BDI ka mbështetur bashkimin e forcave politike shqiptare dhe ka hapur dyert për shumë subjekte e figura politike. Megjithatë, sot mund të jetë momenti për një kthesë të re, duke vazhduar rrugën si një parti e konsoliduar dhe e qartë në identitetin e saj politik shqiptar.

Në prag të këtij jubileu, do të ishte në interes të shqiptarëve që edhe Aleanca për Shqiptarët të gjente një rrugë bashkimi. Qoftë me Arben Taravarin në krye apo me Ziadin Selën ose me një figurë të re unifikuese, si Krenar Lloga, një ASH e fortë do të mund të përfaqësonte një alternativë serioze në skenën politike shqiptare.

Një BDI e fuqishme dhe një ASH e kbashkuar do të mund të krijonin një klimë të re politike, ku shqiptarët do të ndiheshin më të përfaqësuar dhe më të sigurt për të ardhmen e tyre në këtë vend.
Nëse partitë e tjera të VLEN-it kanë mundur të bashkohen pavarësisht dallimeve ideologjike për interesa personale, pse të mos gjendet një formulë bashkimi edhe te ASH -ja?

Prandaj, 5 qershori, dita kur BDI mbush 24 vjet, mund të mos jetë vetëm një datë përkujtimore. Ajo mund të jetë pika e nisjes së një kapitulli të ri, si për BDI-në ashtu edhe për ASH-në, në funksion të forcimit të faktorit politik shqiptar dhe rikthimit të besimit te qytetarët.
Ky është mendimi im personal. Natyrisht, mund të jem edhe gabim dhe ndoshta me këtë qëndrim nuk do të pajtohej as gjysma e anëtarësisë së BDI-së. Megjithatë, besoj se është koha për vendime të guximshme.

Po ashtu, ASH-ja dhe LSH-ja duhet të mendojnë me gjakftohtësi për hapat e tyre të ardhshëm politikë, para se të marrin një rrugë që mund ti çojë drejt fatit që përjeton PDSH-ja. Historia politike shqiptare ka treguar se përçarjet, ambiciet, egot personale kanë pasur pasoja të rënda për partitë politike dhe liderët.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume