Bashkimi Demokratik për Integrim ka shënuar sot 24-vjetorin e themelimit të saj si forcë politike. Përvjetori është festuar përmes një manifestimi në Parkun e Qytetit në Shkup, ku kanë marrë pjesë udhëheqësia e partisë, anëtarë, simpatizantë dhe mbështetës.

​Përmes një mesazhi publik, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka cilësuar atmosferën e festimeve si pozitive dhe plot energji, duke vënë theksin te rrugëtimi dhe qëndrueshmëria e kësaj partie në skenën politike të vendit.

​”Për 24 vite me radhë, BDI ka përfaqësuar me dinjitet qytetarët, duke mbetur forca politike më e organizuar, më e konsoliduar dhe më e etabluar në vend,” u shpreh Ahmeti, duke shtuar se partia vazhdon të mbetet “zëri autentik i shqiptarëve dhe i të gjithë qytetarëve që besojnë në barazi, demokraci dhe integrim.”

​Në deklaratën e tij, lideri i BDI-së nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën aktuale politike dhe sfidat me të cilat përballet vendi. Ahmeti pranoi se sfidat e sotme me të drejtë ngjallin shqetësim, por shprehu bindjen se ato do të tejkalohen përmes unitetit.

​Sipas tij, synimi kryesor mbetet i qartë: rikthimi i Maqedonisë së Veriut në një rrugë të sigurt drejt vlerave perëndimore dhe integrimit të plotë euroatlantik, duke kujtuar se arritjet më të rëndësishme të vendit mbajnë vulën e angazhimit të këtij subjekti politik.

​Në mbyllje të mesazhit të tij, Ahmeti u ka përcjellë urimet më të përzemërta të gjithë strukturave dhe mbështetësve të partisë në këtë 24-vjetor të themelimit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume