Raporti i miratuar me votën për të 412 europarlamentarët shpreh mbështetje për synimet e Kosovës për integrim në BE, përsërit kërkesën për njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet anëtare, por shpreh keqardhje për ngërçin politik dhe polarizimet që e shoqërojnë vendin edhe nga një palë zgjedhje. Në të është shprehur edhe brenga për rrezikun që Kosova të humbë mjete të konsiderueshme financiare, në pamundësi për të marrë vendimet në Kuvend
Parlamenti Evropian më shumicë e ka miratuar të mërkurën në Bruksel raportin për Kosovën.
Dokumenti shpreh mbështetje për synimet e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian (BE), përsërit kërkesën për njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet anëtare, por shpreh keqardhje për ngërçin politik dhe polarizimet që po e shoqërojnë vendin edhe nga një palë zgjedhje, si dhe për rrezikun që Kosova, si pasojë e kësaj, të humbë mjete të konsiderueshme financiare.
Në një postim në “X”, raportuesi për Kosovën, estonezi Riho Terras, ka thënë se në favor të raportit votuan 412 europarlamentarë, kundër 174 e abstenuan 58.
“Vazhdimi i reformave dhe progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbeten thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës”, ka shkruar Terrasi.
Raporti thekson se viti 2025 ka qenë i humbur për shkak të ngërçit politik dhe se edhe muajt e ardhshëm mund të humben për Kosovën për shkak të zgjedhjeve të 7 qershorit, të organizuara pas dështimit për të zgjedhur presidentin. Mjetet financiare nga Plani i Rritjes mund të humben pasi Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme brenda periudhës së caktuar kohore, përfshirë vendimet në Kuvend që kërkohen deri në fund të qershorit.