Furnizimi global me mish është katërfishuar në 60 vitet e fundit
Një raport i ri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë Food and Agriculture Organization of the United Nations tregon se furnizimi botëror me mish është rritur me katër herë gjatë gjashtë dekadave të fundit.
Sipas të dhënave të studimit, furnizimi global me ushqime me origjinë shtazore tokësore (TASF), që përfshin produkte nga gjitarët, shpendët dhe insektet, ka shënuar rritje të ndjeshme që nga viti 1961, i nxitur kryesisht nga rritja e konsumit të mishit të shpendëve, vezëve dhe mishit të derrit.
FAO thekson se zgjerimi i këtij sektori e ka bërë blegtorinë një nga fushat me rritjen më të shpejtë në bujqësinë globale.
Analiza për periudhën 1961–2022 tregon se mishi i shpendëve ka pasur rritjen më të madhe, rreth pesëfish, ndërsa vezët dhe mishi i derrit janë pothuajse dyfishuar. Në të njëjtën kohë, prodhimi i mishit të gjedhit ka mbetur i qëndrueshëm ose ka rënë në disa rajone.
Në total, prodhimi global i TASF ka arritur në 361 milionë tonë në vitin 2022, krahasuar me rreth 71 milionë tonë në vitin 1961. Prodhimi i qumështit është rritur në 930 milionë tonë, ndërsa ai i vezëve në 94 milionë tonë.
Raporti tregon se Azia është aktualisht prodhuesi më i madh i ushqimeve me origjinë shtazore, e ndjekur nga Evropa, por thekson se rritja e prodhimit nuk përkthehet domosdoshmërisht në shpërndarje të barabartë të ushqimit.
Sipas FAO-s, Amerika e Veriut ka disponueshmërinë më të lartë për frymë, ndërsa Azia mbetet me nivele më të ulëta për person.
Një tjetër shqetësim i ngritur është humbja dhe shpërdorimi i ushqimit, i cili arrin rreth një të tretën e prodhimit global, përfshirë rreth 14% të produkteve me origjinë shtazore, duke përkeqësuar sfidat e qëndrueshmërisë ushqimore./Albinfo