Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare. Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se pas këtij vendimi, kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj shpalljes së rezultatit në afat prej 48 orësh, duke filluar nga ora 12:00 sot, e që përfundon deri në orën 12:00 të hënën.
Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike me 53 ulëse.
PDK-ja do të ketë 22 deputetë në legjislaturën e re, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 18 mandate.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet me shtatë deputetë.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, pritet të nisin procedurat për certifikimin e tyre dhe më pas hapat për formimin e institucioneve.