Krijimi i sistemit të fuqishëm të mbrojtjes sociale që do të ofrojë kujdes të vërtetë për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve, e njëkohësisht, do të sigurojë edhe parandalimin e keqpërdorimit të tij, është prioritet të cilin Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve e ka vendosur si prioritet kryesor me ardhjen e kësaj Qeverie.

I marrim parasysh gjetjet e raportit të Entit Shtetëror të Revizionit dhe konsiderojmë se pikërisht këto konstatime e konfirmojnë nevojën për ndryshime të thella sistemore në fushën e mbrojtjes sociale.

Dobësitë e konstatuara dhe mekanizmat e pamjaftueshëm të automatizuar të kontrollit të vendosur gjatë periudhës së mëparshme, mungesa e shkëmbimit të të dhënave në kohë dhe koordinimi i plotë ndërmjet institucioneve, ishin objekt i revizionit të sistemit të mëparshëm, përmes së cilit, paguheshin kompensimet monetare në vitin 2024.

Ky system, nuk mundësonte shkëmbim të të dhënave me të gjitha institucionet relevante në kohë reale, as nuk kishte mekanizma të automatizuar kontrolli, të cilët, do të parandalonin realizimin dhe pagesën e personave/familjeve/amvisërive që nuk janë në rrezik social. Megjithatë, njëheras, pa ekzistencën e tij, nuk do të ekzistonte mundësia e zbulimit të çfarëdolloj mospërputhjeje.

Kjo udhëheqje, që nga marrja e përgjegjësisë, i identifikoi këto sfida dhe ka punuar në tejkalimin e tyre, me qëllim të krijimit të sistemit modern, të digjitalizuar dhe më efikas, i cili, do të parandalojë keqpërdorimet, do të sigurojë kontroll më të madh, do të mbrojë mjetet publike, si dhe do t’i orientojë drejt më të cenueshmëve, të cilëve u nevojitet më së shumti..

Meqë qëllimi ynë nuk është vetëm t’i konstatojmë dobësitë, por të krijojmë sistem të orientuar drejt më të cenueshmëve dhe njëkohësisht të mbrojë mjetet publike që duhet të përdoren me përgjegjësi dhe transparencë, Ministria tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë dhe nga muaji maj, të gjitha qendrat për punë sociale funksionojnë në sistemin e ri, i cili mundëson shkëmbim të të dhënave në kohë reale, përpunim më të mirë të të dhënave, kontrolle më efikase dhe zbulim të menjëhershëm të parregullsive.

Në fakt, përmes zgjidhjes së re softuerike – SWIS, sigurohet platformë unike pune për Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Entin e Veprimtarisë Sociale, qendrat për punë sociale, ofruesit e shërbimeve sociale, si dhe organet inspektuese. Me këtë krijohet sistem modern, i integruar dhe i udhëhequr nga të dhënat, që mundëson efikasitet, transparencë dhe cilësi më të lartë në ofrimin e mbrojtjes sociale.

Njëkohësisht, SWIS përfshin të gjitha proceset kyçe në kompetencë të institucioneve të fushës së mbrojtjes sociale, duke përfshirë administrimin e të drejtave për kompensime monetare nga fusha e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, nga parashtrimi i kërkesës deri te miratimi i aktvendimit, menaxhimin e rasteve për përfituesit e shërbimeve sociale dhe procedurave në kuadër të autorizimeve publike të përcaktuara me ligj, procedurat për licencimin e punonjësve profesionalë në fushën e mbrojtjes sociale, procedurat për licencimin e ofruesve të shërbimeve sociale, mbikëqyrjen e ushtrimit të veprimtarisë së mbrojtjes sociale, mbikëqyrjen inspektuese mbi zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve në fushën e mbrojtjes sociale, procedurat për ofrimin dhe monitorimin e shërbimeve sociale nga ofrues të autorizuar, si dhe procedurat e ankesave dhe vendimmarrjes në shkallë të dytë, për çështjet nga fusha e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Përfitimet nga sistemi i ri janë evidente, pasi përmes sistemit kombëtar të interoperabilitetit është vendosur shkëmbim i sigurt dhe efikas i të dhënave përmes ueb-shërbimeve ndërmjet SWIS-it dhe disa institucioneve relevante, ndër të cilat: Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjykatat, Administrata e të Ardhurave Publike, Drejtoria e Librave Amë dhe Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme.

Integrimi i të dhënave nga burime të ndryshme administrative mundëson që në kohë reale të jenë të disponueshme rreth 90% e informacioneve të nevojshme për miratimin e vendimeve. Në këtë mënyrë, vlerësimi i plotësimit të kushteve bazohet në të dhëna gjithëpërfshirëse, të sakta dhe të përditësuara, ndërkaq, njëkohësisht, zvogëlohet nevoja për dorëzimin e dokumenteve nga qytetarët.

Sistemi i tillë i vendosur dhe krijimi i bazës së centralizuar të të dhënave, e përmirëson ndjeshëm saktësinë e informacionit dhe ul mundësinë e gabimeve gjatë përpunimit të lëndëve. Njëkohësisht, mundëson targetim më të mirë të përfituesve dhe mekanizma më efikas për zbulimin dhe parandalimin e keqpërdorimeve, të mashtrimeve dhe të praktikave korruptive.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume