Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të projektit “Politikat rinore sipas nevojave të të rinjve”, në Manastir.
Në ngjarje mbajtën fjalim përshëndetës edhe kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, drejtori i QMBN-së, Aleksandar Krzhallovski, dhe kryetarja e “Pro Lokal”-it, Emilija Gjeroska.
Projekti është i orientuar drejt përforcimit të pjesëmarrjes së të rinjve dhe të organizatave të shoqërisë civile në krijimin e politikave dhe në proceset e vendimmarrjes në nivel lokal dhe kombëtar.
“Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja. Ata janë e tashmja e këtij shteti dhe duhet të kenë vendin e tyre në proceset ku merren vendime, të cilat drejtpërdrejt përcaktojnë jetën e tyre. Të rinjtë duhet të pyeten, por edhe më e rëndësishme – duhet të dëgjohen, e zëri i tyre të ketë lidhje të dukshme me ndryshimin konkret në komunitetin e tyre”, theksoi Vellkovski.
Në kuadër të projektit, nëntë komuna të rajonit të Pellagonisë, organizata të shoqërisë civile dhe të rinj krijuan Platformën Rajonale për të Rinj, si mekanizëm për identifikimin, analizimin dhe shndërrimin e nevojave të të rinjve në masa konkrete.
Përmes pesë sesioneve të mbajtura të Platformës Rajonale, janë miratuar 24 masa prioritare për të rinjtë, nga të cilat 13 veçmë janë zbatuar. Masat u referohen fushave me rëndësi të drejtpërdrejtë për të rinjtë – arsimin, sportin, transportin publik dhe mobilitetin, shëndetin mendor dhe fizik, kulturën, turizmin, mjedisin jetësor, vullnetarizmin dhe sipërmarrjen rinore.
“Rezultati më i rëndësishëm nuk është vetëm numri i masave të realizuara. Më e rëndësishmja është se është vendosur një process, në të cilin të rinjtë shprehin nevojat e tyre, nevojat e tyre verifikohen përmes analizave dhe fakteve, ndërkaq institucionet, vetëqeverisja lokale dhe sektori civil bashkërisht kërkojnë zgjidhje” – shtoi mes tjerash, ministri.
Vellkovski nënvizoi se përvoja nga rajoni i Pellagonisë tregon se iniciativat lokale mund të jenë kontribut i rëndësishëm për avancimin e politikave kombëtare rinore.
Në kuadër të projektit është realizuar edhe një vlerësim kombëtar i zbatimit dhe efekteve të Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, duke përfshirë të gjitha rajonet planore, ndërsa gjetjet janë shndërruar në rekomandime për përmirësimin e tij.
“Si Ministri, këto përvoja dhe rekomandime i konsiderojmë si kontribut të rëndësishëm në procesin e avancimit të politikës rinore. Përcaktimi ynë është i qartë – të krijojmë politika që bazohen në nevoja reale, në të dhëna dhe në dialog të drejtpërdrejtë me të rinjtë“ – tha Vellkovski.
Ai theksoi se shteti duhet të krijojë kushte që të rinjtë, pavarësisht se ku jetojnë, të kenë mundësi reale për arsimim, punësim, sipërmarrje, kulturë, sport, mobilitet dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Në veçanti, siç theksoi ai, është e nevojshme të zvogëlohen dallimet në qasjen ndaj mundësive dhe shërbimeve ndërmjet të rinjve në zonat urbane dhe rurale.
“Nëse duam që të rinjtë të qëndrojnë, të zhvillohen dhe ta shohin të ardhmen e tyre këtu, duhet të krijojmë një mjedis në të cilin ata do të kenë mundësi, por edhe ndjenjën se zëri i tyre ka rëndësi” – theksoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.
Në aktivitetin përmbyllës u prezantuan edhe rekomandimet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Pjesëmarrjes së të Rinjve dhe Politikave Rinore, si dhe rezultatet e projekteve të vogla të hartuara sipas nevojave të të rinjve. Në kuadër të ngjarjes u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për inovatorët e biznesit nga Pellagonia, në kuadër të Konkursit Rajonal për Ide Inovative Biznesi për të Rinjtë e Rajonit.
Projekti “Politikat rinore sipas nevojave të të rinjve”, bartës i të cilit është organizata e shoqërisë civile „Pro Lokal“ nga Manastiri, realizohet në partneritet me tetë organizata lokale të shoqërisë civile, me mbështetje financiare nga Qeveria e Zvicrës, përmes programit Civica Mobilitas.






