Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka pranuar se ka gabuar në qasjen e tij ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke thënë se për vite me radhë kishte besuar se përparimi në dialogun me Serbinë ishte kushti kryesor për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Roth ka thënë se me kalimin e kohës e ka kuptuar se kjo qasje nuk ishte e drejtë, pasi dialogu nuk ishte i balancuar mes dy palëve.

“Mendoja për një kohë shumë të gjatë se vetëm përparimi i konsiderueshëm në dialogun e normalizimit e afron Kosovën me BE-në. Dhe ky ishte një gabim”, deklaroi Roth.

Sipas tij, përparimi në dialog ishte shumë më i rëndësishëm për Kosovën sesa për Serbinë, gjë që i krijoi Beogradit mundësinë ta përdorte procesin si mjet bllokimi ndaj Prishtinës.

“Në fund, dialogu i normalizimit nuk ishte kurrë një gjë e ekuilibruar mirë. Për Beogradin përparimi në dialog nuk ishte aq i rëndësishëm sa ishte për Kosovën. Kështu ishte shumë e thjeshtë për Beogradin dhe për Aleksandar Vuçiqin ta bllokonin Kosovën”, ka thënë ai.

Roth kritikoi gjithashtu qasjen e Bashkimit Evropian ndaj liderëve autoritarë në rajon, duke thënë se Evropa nuk u ka dërguar gjithmonë mesazhe të qarta për orientimin e tyre gjeopolitik.

Ai theksoi se BE-ja ka bërë gabime duke toleruar politikanë që, sipas tij, përfitonin nga fondet dhe mbështetja evropiane, ndërsa në të njëjtën kohë forconin lidhjet me Rusinë.

Sipas Rothit, përvoja me liderë si Vuçiqi dhe ish-kryeministri hungarez Viktor Orban tregon se demokracitë evropiane shpesh kanë nënvlerësuar aftësinë e udhëheqësve autoritarë për të shfrytëzuar dobësitë e politikave perëndimore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume