Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër rezulton ende i zhdukur pas përplasjes mes një katamarani udhëtarësh të një kompanie private kroate dhe një veliere, ngjarje e ndodhur mes ishujve Sholta dhe Braç, njoftoi Ministria kroate e Detit, Transportit dhe Infrastrukturës.
Veliera, e cila lundronte nën flamurin francez, u fundos pas përplasjes, ndërsa një operacion i gjerë shpëtimi është në vijim për gjetjen e personit të zhdukur.
Sipas medieve kroate, katër shtetas çekë janë transportuar në spitalin e Splitit dhe të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ministria njoftoi se raportimi për aksidentin u pranua nga Kapiteneria e Splitit, pas së cilës u njoftuan menjëherë Qendra Kombëtare për Koordinimin e Kërkim-Shpëtimit në Det në Rijeka dhe shërbimet kompetente, të cilat nisën aksionin e shpëtimit.
Në momentin e aksidentit, në katamaranin e udhëtarëve “Krilo Eclipse” ndodheshin 118 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuazhit. Anija po lundronte në një linjë të rregullt drejt ishullit Braç.
Pas aksidentit, kompania anuloi disa linja të rregullta.
Shërbimet kompetente po vijojnë hetimet, ndërsa shkaqet dhe rrethanat që çuan në përplasjen dhe fundosjen e velierës për momentin mbeten të panjohura.