Një ngjarje e rëndë kriminale e ndodhur në fshatin Fushë-Mamurras të Kurbinit është zbardhur ditën e sotme nga policia, e cila ka arrestuar një 57-vjeçare të dyshuar për vrasjen e nënës së saj 85-vjeçare.
Sipas autoriteteve, fillimisht vdekja e të moshuarës, e regjistruar më 30 prill 2026, ishte paraqitur si natyrale dhe nuk ishte raportuar pranë Policisë. Megjithatë, informacionet e siguruara në rrugë operative ngritën dyshime për një ngjarje kriminale, duke çuar në ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor.
Nga hetimet e kryera rezultoi se 85-vjeçarja D. Sh. nuk kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale, por si pasojë e goditjeve me mjet prerës. Si autore e dyshuar e krimit është identifikuar vajza e saj, V. Sh., 57 vjeçe, e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe sipas Policisë vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Në vijim të operacionit, Policia bëri ndalimin e 57-vjeçares, e cila akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Gjatë hetimeve është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në krim, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me ngjarjen.
Ndërkohë, në gjendje të lirë është proceduar penalisht edhe një mjeke, e identifikuar me inicialet A. Ll. Sipas Policisë, ajo ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar rastin si vdekje natyrale dhe nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, për çka akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”.