Një polic i Kosovës është gjetur pa shenja jete mëngjesin e kësaj të marte në varrezat e fshatit Morinë, në Kukës.

Sinjali mëson nga burimet e tij se bëhet fjalë për Shaban Hajdarin nga Prizreni.

Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 08:25 është konstatuar i pajetë shtetasi 35 vjeç, banues në Prizren, punonjës policie në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një vetëvrasjeje me armë zjarri pistoletë. Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shtetit bëri të ditur se po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e sekuestruar është arma e shërbimit të efektivit, si dhe për sigurimin e të gjitha të dhënave që do t’i shërbejnë dokumentimit të plotë ligjor të rastit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume