“Thënia popullore se “nëse dëshiron ta njohësh dikë me të vërtetë, jepi pushtet” po dëshmohet më së miri nga sjellja e atyre që sot kanë në dorë pushtetin.
Kërcënimi i ulët dhe i papranueshëm ndaj gazetarit Rami Mislimi, vetëm pse ka bërë pyetje që janë në interes të publikut, është një sinjal alarmues për lirinë e fjalës. Vetëm pak ditë më parë, edhe deputetja Arbana Pasholli u bë objekt i sulmeve verbale nga partneri i koalicionit të po të njëjtëve.
Pyetja që shtrohet është: sa larg janë të gatshëm të shkojnë për të mbuluar paaftësinë e tyre me fyerje, kërcënime dhe presion?
Institucionet duhet të reagojnë menjëherë pasi që heshtja përballë këtyre rasteve vetëm sa i inkurajon sulmet ndaj gazetarëve, përfaqësuesve politikë dhe çdo qytetari që mendon ndryshe.
Pushteti nuk është mjet që duhet përdorur për të frikësuar, kërcënuar apo poshtëruar qytetarët. Pushtet do të thotë përgjegjësi dhe shërbim ndaj qytetarëve. Çdo devijim nga ky parim është cenim i demokracisë dhe i lirisë së shprehjes” ka shkruar Arianit Hoxha