Dega e BDI-së në Tetovë ka reaguar ashpër pas raportimeve për kërcënimet ndaj gazetarit Rami Mislimi, duke i cilësuar ato si një vijë e kuqe që nuk duhet të kalohet në një shoqëri demokratike informon
Tetovasot.

Në reagimin e saj, BDI thekson se kur një funksionar publik përdor gjuhë kërcënuese ndaj një gazetari dhe përfshin edhe një fëmijë, nuk bëhet më fjalë për debat politik, por për një cenim serioz të etikës, ligjit dhe kulturës demokratike.

“Kur një person që ushtron funksion publik kërcënon një gazetar me vdekje dhe përdor fjalë të neveritshme ndaj një fëmije dyvjeçar, nuk kemi më të bëjmë me debat politik, por me një vijë të kuqe që nuk guxon të kalohet,” thuhet në reagim.

BDI vlerëson se normalizimi i gjuhës së urrejtjes rrezikon vetë shtetin e së drejtës dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.

“Nëse sot relativizojmë kërcënimin ndaj një gazetari, nesër relativizojmë dhunën ndaj kujtdo që mendon ndryshe. Pikërisht kështu fillon degradimi i shtetit të së drejtës,” thekson BDI.

Në fund të reagimit, Dega e BDI-së në Tetovë njofton se ka ndërmarrë edhe një hap institucional.

“Sot, në Inspektoratin Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, dorëzuam kërkesë për mbikëqyrje mbi ligjshmërinë e emërimit të Albi Qamilit si zëvendës i kryetarit të Komunës së Tetovës. Duke u mbështetur në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës së Tetovës, konstatojmë se ai në mënyrë të paligjshme ushtron njëkohësisht funksionin e këshilltarit dhe atë të zëvendësit të kryetarit,” thuhet në reagim.
Tetovasot