Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e çon përpara në mënyrë të njëanshme Reformën Territoriale, duke e cilësuar këtë një akt që shkon kundër interesit të qytetarëve.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protesta, duke e konsideruar reformën një çështje që prek drejtpërdrejt komunitetet në të gjithë vendin.
Në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha tha se opozita e mbajti për rreth pesë orë Parlamentin të përqendruar te dy çështje kryesore: reforma territoriale dhe kërkesat e protestuesve jashtë Kuvendit, por sipas tij, mazhoranca tregoi se nuk mbron intersin e qytetarëve.
Sipas tij, deputetët e mazhorancës nuk përfaqësojnë qytetarët, por interesa të tjera. Berisha deklaroi se Partia Demokratike vendosi të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale pas kërkesave të qytetarëve, me synimin për të mbrojtur interesat e tyre.
Ai vlerësoi punën e përfaqësuesve të PD-së në komision, duke thënë se ishte përgatitur një projekt që parashikonte rritjen e numrit të bashkive dhe krijimin e komunave të reja, në përputhje me ndryshimet demografike.
Sipas kreut të demokratëve, pas konsultimeve me qytetarët, qeveria vendosi të ndërpresë punën e komisionit dhe të miratojë në mënyrë të njëanshme raportin e ministrit Arbjan Mazniku, pa e shqyrtuar atë në komision.
“Pra, opozita në një përpjekje të jashtëzakonshme, e mbajti parlamentin pesë orë me dy çështje kryesore, reforma territoriale dhe çështja e dytë, kërkesat e protestuesve jashtë parlamentit, të cilët kishin vetëm një kërkesë: nuk përfaqësonin një të vërtetë absolute.
Ky parlament dhe këta deputetë të pseudomazhorancës nuk përfaqësojnë qytetarët.
Ata përfaqësojnë miliarda e miliarda euro të taksapaguesve të përdorur sipas dokumenteve ndërkombëtare për të ndikuar, për të kontrolluar vullnetin e zgjedhësve.
Ata përfaqësojnë grupe terroriste të shpifura të patronazhistëve që sillen si polici politike e votës.
Ata përfaqësojnë kartelet më të rrezikshme të drogës në Evropë.
Ata përfaqësojnë plaçkitjet më të mëdha të pasurisë publike dhe vjedhjet e buxhetit.
Përfaqësojnë votën e krimit dhe në asnjë rast, në asnjë rrethanë qytetarët shqiptarë.
Ja sepse PD kërkoi me insistimin më të madh shkrirjen dhe përfundimin ditën e enjte të parlamentit shqiptar.
Sikundër denoncuam para shqiptarëve dhe mbarë botës aktin e papërgjegjshëm të Edi Ramës të tërheqjes së njëanshme nga reforma territoriale.
Të dashur miq, në krye të radhës kam deklaruar se me Edi Ramën, reformë nuk ka.
Por nga ana tjetër jo një apo dy, por dhjetëra dhe qindra e më shumë qytetarë nga të katër anët e vendit, kanë kërkuar që PD të marrë pjesë në komisionin e reformës territoriale për të mbrojtur interesat e tyre në këtë komision.
Dhe ne këtë bëmë.
Zoti Luçiano Boçi në krye të këtij komisioni nga ana jonë dhe deputetët tanë bënë një punë jashtëzakonisht serioze.
Përgatitën me seriozitetin më të madh së bashku me ekspertët e fushës projektin më të mirë të reformës së ardhshme territoriale, ku bashkitë nga 60 jo që nuk zvogëloheshin, por dyfishoheshin.
Në të cilin përveç bashkive shtoheshin dhjetëra e dhjetëra komuna sipas territoreve ku ato është e mundur të ngrihen dhe ndryshimet e thella demografike lejojnë ngritjen e tyre.
Pas konsultave të gjera bipartizane, në të cilat qytetarët e të gjithë spektrit politik demaskuan njëzëri reformën e shkuar të Edi Ramës, Edi Rama vendosi të mbyllë punimet e komisionit, të tërhiqet dhe e votoi në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme raportin e Maznikut, i cili nuk ishte paraqitur në komision.
Pra, ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij.”, tha ai.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha tha se Partia Demokratike ka në dorë zgjidhjen për të adresuar problemet e rritjes së çmimeve dhe për këtë tregoi masat që duhen ndërmarrë.
“Pa diskutim që dara e varfërisë në këtë vend shtrëngohet para së gjithash nga rritja e madhe disproporcionale e çmimeve në raport me rrogat. Rritje kjo, e cila ka si shkak themelor narko-euron dhe narko-shtetin. Por rritje kjo, për të cilën Partia Demokratike ka një përgjigje flakë për flakë për neutralizimin dhe zbutjen e saj.Së pari, vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar. Së dyti, heqja e TVSH-së ose zbritja e saj në 6% në të gjitha produktet ushqimore. Së treti, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve me një politikë agresive të rritjes së tyre. Unë kam besim se me këto tre masa, kjo darë që shtrëngohet çdo muaj e më shumë në fytin e shqiptarëve, do mund të bllokohet dhe të lirohet“, theksoi ai.