Tetovë – Deputetët e Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, Rijad Shaqiri dhe Sadik Sulejmani, kanë reaguar lidhur me raportimet për kërcënime ndaj gazetarit Rami Mislimi dhe familjes së tij, duke e cilësuar çdo kërcënim ndaj një gazetari si një sulm ndaj lirisë së medias dhe vlerave demokratike.

Në reagimin e tyre, deputetët shprehin shqetësim të thellë për pretendimet se në kërcënime është përfshirë edhe vajza dyvjeçare e gazetarit.

“Përfshirja e një fëmije në një kërcënim është e papranueshme në çdo rrethanë dhe nuk mund të arsyetohet me asnjë mosmarrëveshje politike apo personale”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, kritika dhe kundërshtimet në një shoqëri demokratike trajtohen me argumente dhe përmes institucioneve, e jo përmes frikësimit, presionit apo gjuhës së urrejtjes.

Deputetët e ASH-së theksojnë se është veçanërisht shqetësuese nëse një gjuhë e tillë i atribuohet një funksionari publik, pasi bartësit e pushtetit duhet të jenë shembull i kulturës demokratike dhe respektit ndaj qytetarëve.

Ata i bëjnë thirrje institucioneve kompetente që ta hetojnë rastin me seriozitet dhe të ndërmarrin masat ligjore nëse konfirmohen pretendimet.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, e aq më pak ata që ushtrojnë pushtet. Gazetarit Rami Mislimi dhe familjes së tij u shprehim solidaritetin tonë. Fëmijët duhet të mbeten gjithmonë jashtë çdo konflikti politik apo personal”, përfundojnë deputetët e ASH-së. Tetovasot

Reagim i deputetëve të Aleancës për Shqiptarët: Halil Snopçe, Rijad Shaqiri dhe Sadik Sulejmani
Me shqetësim të thellë kemi ndjekur raportimet për kërcënimin e rëndë të drejtuar ndaj gazetarit Rami Mislimi, ku, sipas deklarimeve publike, objekt i gjuhës së papranueshme dhe kërcënimit është bërë edhe vajza e tij dyvjeçare.
Nëse këto raportime rezultojnë të vërteta, kemi të bëjmë me një akt që tejkalon çdo kufi njerëzor, moral dhe demokratik. Përfshirja e një fëmije në një kërcënim është e papranueshme në çdo rrethanë dhe nuk mund të arsyetohet me asnjë mosmarrëveshje politike apo personale.
Liria e medias dhe e drejta e gazetarëve për të ushtruar profesionin e tyre pa frikë janë shtylla të çdo shoqërie demokratike. Kushdo që mban funksion publik duhet ta kuptojë se kritika është pjesë e përgjegjësisë që merr përsipër. Argumentet kundërshtohen me argumente, ndërsa çdo pretendim për shpifje apo cenim të reputacionit trajtohet përmes institucioneve kompetente, kurrë përmes kërcënimeve, intimidimit apo gjuhës së urrejtjes.
Është edhe më shqetësuese kur një gjuhë e tillë i atribuohet një funksionari publik. Bartësit e funksioneve publike kanë detyrimin të jenë shembull i kulturës demokratike, i etikës dhe i respektit ndaj çdo qytetari, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve të tij.
U bëjmë thirrje organeve kompetente që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet të plotë, të sqarojnë të gjitha rrethanat dhe, nëse konfirmohen pretendimet, të ndërmarrin masat e parashikuara me ligj. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, e aq më pak ata që ushtrojnë pushtet.
Gazetarit Rami Mislimi dhe familjes së tij u shprehim solidaritetin tonë. Në një shtet demokratik, askush nuk duhet të jetojë me frikë për shkak të fjalës së lirë, ndërsa fëmijët duhet të mbeten gjithmonë jashtë çdo konflikti politik apo personal.