Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se ngërçi i zgjatur politik dhe mungesa e institucioneve të reja po e dëmtojnë seriozisht pozitën e Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se vendi nuk mund të avancojë prioritetet e tij strategjike pa institucione funksionale dhe një qeveri me mandat të plotë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier tha se pezullimi i Dialogut Strategjik me Uashingtonin është tashmë një pasojë konkrete e situatës politike në Kosovë. Sipas tij, Prishtina duhet të veprojë më shpejt në çështje kyçe, përfshirë energjinë dhe obligimet ndaj komunitetit serb, nëse synon të forcojë marrëdhëniet me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.
Ai theksoi se vëmendja e Shteteve të Bashkuara nuk është e pakufizuar dhe se Kosova duhet të shfrytëzojë mundësitë që i ofrohen.
“Është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos humbet shumë kohë me reflektime, por të gjenden fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, tha Hovenier në një intervistë për Radio Evropa e Lirë transmeton Klankosova.tv.
Duke komentuar ngërçin politik pas zgjedhjeve, ish-diplomati amerikan shmangu fajësimin e një partie të vetme, por theksoi se përgjegjësia bie mbi të gjithë spektrin politik.
“Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja”, u shpreh ai.
Hovenier tha se, po të ishte ende ambasador në Prishtinë, do t’i inkurajonte të gjithë liderët politikë – nga Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK dhe partitë e tjera – që të linin mënjanë interesat partiake dhe të gjenin një zgjidhje në interes të qytetarëve.
Sipas tij, Kosovës i duhet një qeveri e re, zgjedhja e presidentit dhe institucione të qëndrueshme që do të mund të përfaqësojnë vendin me legjitimitet përballë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
I pyetur nëse situata kërkon ndërhyrje ndërkombëtare, Hovenier u shpreh se shpreson që kjo të mos jetë e nevojshme.
“Kosova është një demokraci e konsoliduar. Kjo është një provë për klasën politike: a mund t’i lërë mënjanë interesat e ngushta partiake dhe të veprojë në të mirë të qytetarëve? Unë besoj se po”, deklaroi ai.