Sot në Kuvend u mbajt takimi protokollar i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, me ambasadorin britanik, Metju Loson. U vunë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat po zhvillohen rregullisht me një dinamikë në zhvillim.

Kryetari Gashi e theksoi veçanërisht bashkëpunimin në nivelin e kryetarëve të parlamenteve, duke iu referuar vizitës së tij zyrtare në Parlamentin Britanik vitin e kaluar. E theksoi rëndësinë e ndihmës së projektit për Kuvendin që kryhet përmes Fondacionit Vestminster për Demokraci dhe i cili i forcon funksionet e Kuvendit dhe Shërbimit.

Ambasadori Loson shprehu kënaqësinë për konfirmimin e vazhdimit të bashkëpunimit tashmë të vendosur.

Kryetari Gashi e informoi ambasadorin për procesin e digjitalizimit të Kuvendit, forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, si dhe ngritjen e nivelit të kulturës politike në Kuvend dhe përmirësimin e perceptimit të Dhomës Ligjvënëse në publik.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi aktivitetet e ardhshme të Kuvendit, mundësitë dhe modalitetet në kuadër të bashkëpunimit tashmë të vendosur, por edhe mbi potencialet e llojit tjetër të bashkëpunimit me interes të ndërsjellë. Mirënjohje e veçantë iu shpreh Mbretërisë së Bashkuar për rolin e saj udhëheqës dhe mbështetjen në zhvillimin dhe në momentet historike kryesore të vendit tonë si një demokraci e pavarur evropiane.