Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, vlerësoi se nata hapëse e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia” shënoi një fillim të suksesshëm të një nisme që synon të bëhet traditë e përvitshme dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Shkup.

Mbrëmja e parë, e mbajtur në ambientet e Suli Hanit, mblodhi një numër të madh qytetarësh dhe dashamirës të artit, të cilët ndoqën një program artistik të nivelit të lartë në një nga hapësirat më të rëndësishme historike të qytetit.

“Dritat u ndezën, Suli Hani mori frymë ndryshe dhe publiku i dha Festivalit ‘Çarshia’ fillimin që e kishim ëndërruar. Interesimi i jashtëzakonshëm është dëshmia më e mirë se investimi në kulturë është investim në identitetin, edukimin estetik dhe të ardhmen e qytetit. Ky është vetëm fillimi i një tradite që do të rritet nga viti në vit,” deklaroi Mexhiti.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia” vazhdon edhe në netët në vijim me një program të pasur artistik dhe me pjesëmarrjen e emrave të njohur nga vendi dhe bota.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume