Doganierët në Greqi do të mbajnë grevë më 27 korrik, ndërsa pikat kufitare do të jenë të mbyllura për gjithsej katër orë. Nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë së Veriut (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), të gjitha pikat kufitare do të jenë të mbyllura.
Gjatë bllokadës katërorëshe, qarkullimi i automjeteve të pasagjerëve do të zhvillohet sipas një regjimi të rreptë, ndërsa për kamionët dhe automjetet e transportit të mallrave do të ketë bllokim të plotë të hyrjes dhe daljes nga Greqia.
“Në periudhën nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë së Veriut (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në pikat kufitare të lartpërmendura automjetet e pasagjerëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të ndërpritet plotësisht, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë. Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike”, njoftoi MPB.