Partia Demokratike Shqiptare shpreh shqetësimin e saj për raportimet e gazetarit Rami Mislimi, pronar i portalit TetovaSot, se është kërcënuar nga zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.

Liria e medias dhe siguria e gazetarëve janë vlera themelore të një shoqërie demokratike. PDSH vlerëson se përgjegjësinë kryesore politike për këtë rast e mban kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Si drejtues i institucionit, ai ka detyrimin të garantojë që zyrtarët e tij të respektojnë ligjin, lirinë e medias dhe dinjitetin e gazetarëve. Heshtja dhe mosveprimi ndaj një rasti të tillë përbëjnë përgjegjësi politike dhe institucionale.

PDSH u bën thirrje institucioneve kompetente që të trajtojnë me seriozitet çdo pretendim për kërcënim, të zbardhin plotësisht rastin dhe, nëse konstatohen shkelje të ligjit, të ndërmarrin masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Partia Demokratike Shqiptare rithekson se mbrojtja e gazetarëve dhe e lirisë së shprehjes është përgjegjësi e çdo institucioni demokratik dhe se askush, pavarësisht funksionit që mban, nuk duhet të jetë mbi ligjin.