Prokuroria do të kërkojë 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit: v.d. drejtoreshën e Ndërmarrjes Publike “Komunalec”-Gostivar, Artana Asani, udhëheqësin e Sektorit për Ujë, Vadedin Dauti dhe drejtorin teknik të ndërmarrjes publike “Komunalec”-Gostivar, Leon Mezini, në rastin e ujit të Gostivarit. Ata aktualisht ndodhen para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili duhet të vendosë nëse do ta pranojë këtë propozim.
Grand Kozmetik
Prokurori kompetent për rastin nga Prokuroria Themelore Publike Gostivar, Hazbi Iseni, në brifingun e sotëm me mediat tha se hetimet deri tani janë të përqendruara vetëm ndaj këtyre tre personave. Por, në varësi të provave të gjetura për punën e të gjitha institucioneve dhe individëve përgjegjës, hetimi mund të zgjerohet.
Është dhënë urdhër dhe tashmë është siguruar i gjithë dokumentacioni nga ndërmarrja komunale e Gostivarit, i cili duhet të japë përgjigje për shumë pyetje në lidhje me incidentin që shkaktoi epidemi në Gostivar.
Siç u tha në brifingun e sotëm në Prokurorinë Themelore Publike Gostivar, ku ishin të pranishëm prokurori shtetëror Nenad Saveski, prokurori i lartë Faik Arslani, si dhe shefja e Prokurorisë Themelore Publike Gostivar, Elizabeta Josifovska, hetimet filluan më 16 qershor në orët e pasdites, pas një denoncimi anonim nga qytetarë të shqetësuar. Pas kësaj, ekipet hetimore dhe prokurori i detyrës shkuan në vendngjarje dhe gjetën tre pompat, prej të cilave dy ishin në funksion, të vendosura që më 24 qershor… Menjëherë u njoftuan autoritetet përkatëse nga AHV-ja dhe Inspektorati për Mjedis Jetësor për t’u përfshirë në procedurë. U morën mostra uji nga katër lokacione – nga kanali, nga kaptaja, nga stacioni i tejmbushjes ku u konstatua përqendrim i rritur i baktereve koliforme, si dhe nga një çezmë pranë xhamisë në hyrje të qytetit, ku u konstatua prani më e lartë se kufiri i lejuar i klorit.
Në vazhdim janë kontrollet e forcuara inspektuese, ku mostrat po merren nga i gjithë sistemi i furnizimit me ujë, si dhe nga kopshtet, institucionet shëndetësore, objektet e hotelierisë, objektet fetare dhe institucione të tjera publike.