Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar ribalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2026, në të cilin janë përfshirë amendamentet e miratuara gjatë debatit parlamentar. Me ndryshimet e reja sigurohen mjete shtesë për gratë e angazhuara në aktivitete bujqësore, krijimin e linjës kombëtare SOS për mbështetjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe për hapjen dhe funksionalizimin e dy qendrave të kujdesit për viktimat e kësaj kategorie.
Nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se propozim-ribalanci, i plotësuar me amendamentet e miratuara pas shqyrtimit në Komisionin për Financim dhe Buxhet të Kuvendit, do t’i dërgohet Kuvendit për miratim.
Sipas Ministrisë, me ribalancin të ardhurat e përgjithshme të buxhetit planifikohen në 379.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme në 425.8 miliardë denarë. Mjetet shtesë janë orientuar drejt prioriteteve të përcaktuara nga Qeveria.
“Me ribalancin janë siguruar mjete shtesë për subvencione në bujqësi, më shumë fonde për subvencionimin e transportit hekurudhor, mbështetjen e sportit, si dhe për përmirësimin e standardit të studentëve dhe nxënësve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Po ashtu, janë paraparë mjete shtesë për mbështetjen e kategorive sociale në nevojë, përmes kompensimeve sociale, financimit të shoqërive mbrojtëse, kuzhinave popullore dhe masave për deinstitucionalizim. Shtesë fondesh janë ndarë edhe për sektorin e shëndetësisë.
Ministria thekson se ribalanci parashikon edhe rritje të investimeve kapitale, të cilat arrijnë në rreth 46 miliardë denarë, ose 14.5 për qind më shumë krahasuar me buxhetin fillestar. Në të njëjtën kohë, janë ulur shpenzimet për mallra dhe shërbime.
Sipas projeksioneve të ribalancit, deficiti buxhetor është planifikuar në 46.3 miliardë denarë, që përfaqëson 4.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa rritja ekonomike për vitin 2026 parashikohet të jetë 3.5 për qind.