Shkruan: Florim Zeqa,

Të përshpejtohen bisedimet për zgjedhjen e institucioneve shtetërore!

Fillimi i mbarë i bisedimeve mes subjekteve parlamentare për krijimin e institucioneve shtetërore duhet të vazhdoj me seriozitet dhe me ritëm të shtuar! Prolongimet eventuale të bisedimeve duke u thirrur në afatet kushtetuese, jo vetëm që mund ta lënë shtetin pa President, mund ta çojnë sërish vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Të respektohet vullneti i elektoratit

Shkuarja e vendit në zgjedhje do të ishte skenari më i keq, por, më keq se kaq do të jetë përseritja apo rikthimi i Albin Kurtit në pikën zero, gjegjësisht të arritjes së të njëjtës “zgjidhje” për të cilën vendi shkoj në zgjedhjet e 7 qershorit!!

Kosova ka humbur shumë kohë dhe shumë përspektiva zhvillimore shkaku i kalkulimeve personale të liderëve partiakë!

Tendenca e hapur për ta personalizuar procesin negociator për krijimin e institucioneve i dëmton bisedimet, sikurse që i dëmton partitë opozitare tendenca për të marrë më shumë ‘hise’ në qeveri nga ajo që ju ka dhënë elektorati!

Vullneti i popullit është vullneti i Zotit, e thotë një fjalë e urtë popullore!
Populli ua tregojë vendin të gjitha subjekteve, andaj nuk ka rrugë tjetër përveq respektimit të vullnetit të sovranit, të shprehur më 7 qershor!

Prandaj, proporcionaliteti i votës duhet të jetë pikënisje dhe konkluzion i bisedimeve për krijimin e institucioneve shtetërore.

Çdo devijim i kësaj rruge do ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe humbje të shumfishta për shtetin, e cila do të ndikoj në përkeqësimin e jetës së qytetarëve!

Nëse i referohemi maksimës popullore “Dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë gjasat janë shumë të vogla për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

E themë kështu, për faktin se, që në takimin e parë ka qenë e mundur arritja e dakordimit për krijimin e institucioneve! Prolongimet nuk do të sjellin përafrime, por vetëm largim nga zgjidhja fatlume për shtetin!

Bisedime pa rezultate evidente

Epilogu i raundit të parë të bisedimeve mes liderëve partiakë është ky: Albin Kurti ua mati impulsin dy krerëve opozitarë!

Përderisa kryetari PDK-së, Bedri Hamza i mbrojti qëndrimet partiake, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani më shumë shpërfaqen ambiciet personale sesa qëndrimet partiake shkaku i situatës shpërthyese në LDK!

Për dallim nga dy partitë më të mëdha opozitare, Aleanca e vogël e refuzoi takimin me Albin Kurtit, prapa të cilit refuzim fshihet kërkesa jetësore e Ramush Haradinajt për t’u bërë President!

Pavarësisht ambicieve personale, gjithçka mbetet në dorën e Albin Kurtit!

Mbetët të shihet në ditët dhe javët në vazhdim serioziteti i liderëve partiakë në arritjen e kompromisit politik për të mirën e shtetit dhe interesin e qytetarëve!

Anipse në opinionin publik po flitet se për Albin Kurtin më e preferuara për marrëveshje politike është LDK-ja, në realitet është e kundërta e saj, për shkak të mungesës së besueshmërisë së ndërsjellë! Ajo që është provuar një herë dhe ka dështuar, nuk ka gjasa të përseritet më nga LVV!

Florim Zeqa, 13.07.2026

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume