VLEN-i institucionet shtetërore i ka shndërruar në zyra punësimi për familjarët dhe të afërmit e funksionarëve të vet. Në këmbim të posteve dhe privilegjeve, përfaqësuesit e tij heshtin për degradimin e pozitës së shqiptarëve, për gjuhën shqipe, për përfaqësimin e drejtë, për ligjin e lojërave të fatit, për provimin e jurisprudencës në shqip dhe për bllokimin e procesit eurointegrues.
Rasti më i fundit është ai i deputetes dhe nënkryetares së VLEN-it, Mimoza Musa. Babai i saj, Arif Musa, edhe pse pensionist, është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut.
Ironia është se Arif Musa, si ish-anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, dikur kërkonte rishqyrtimin e emërimeve dhe rihapjen e konkurseve aty ku konstatohej nepotizëm.
Sot, të njëjtat parime duhet të vlejnë edhe për të.
Familjarizmi vazhdon edhe me nipin e tij, Nusret Haliti, i cili mban pozitën e drejtorit të Agjencisë për Komunikime Elektronike.
Prandaj pyesim publikisht nëse ka pasur ndikim politik në këto emërime dhe nëse procedurat kanë qenë transparente dhe konkurruese.
VLEN-i nuk e luftoi nepotizmin. Vetëm priti radhën për të përfituar prej tij.