Bozhinovska – Macinka: Bashkëpunimi i shkëlqyer me Çekinë vazhdon me mundësi të reja në energjetikë dhe burime minerale
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një
takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së
Çekisë, Petr Macinka, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.
Energjia, investimet dhe zbatimi i teknologjive moderne ishin në fokus të takimit të ministres së
energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, me zëvendëskryeministrin dhe
ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Petr Macinka.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer dhe i vazhdueshëm ndërmjet Maqedonisë
dhe Republikës së Çekisë, me vlerësimin e përbashkët se ekziston hapësirë e konsiderueshme
për thellimin e mëtejshëm të tij, veçanërisht në sektorin e energjetikës.
Në bisedë vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për investime çeke dhe pranisë
më të madhe të kompanive çeke në Maqedoni, si dhe shkëmbimit të ekspertizës dhe
teknologjive në fusha me rëndësi strategjike – infrastruktura energjetike, burimet e
rinovueshme të energjisë, efikasiteti energjetik dhe modernizimi i sistemeve energjetike.
„Çekia është një partner i dëshmuar dhe i rëndësishëm për ne. Kemi një
bashkëpunim të shkëlqyer dhe kanale të vendosura komunikimi, ndërsa tani
synimi është të bëjmë edhe një hap përpara – nga shkëmbimi i përvojave drejt
projekteve konkrete, investimeve dhe partneriteteve teknologjike. Maqedonia ka
potencial të madh, ndërsa njohuritë dhe përvoja çeke mund të jenë një kontribut i
rëndësishëm në transformimin tonë energjetik”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Bozhinovska theksoi gjithashtu rëndësinë e lidhjes së drejtpërdrejtë institucionale
dhe diplomacisë ekonomike për hapjen e mundësive të reja për kompanitë
maqedonase dhe tërheqjen e investitorëve nga Çekia.
Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në ekonomi dhe energjetikë tashmë ka një bazë
konkrete. Në mars të vitit 2025, ministrja Bozhinovska ishte bashkëkryesuese e Takimit
të Tretë të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik Dypalësh ndërmjet
Maqedonisë dhe Republikës së Çekisë, ku u shqyrtuan mundësitë për avancimin e
bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe realizimin e projekteve me interes të
përbashkët.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, pala maqedonase gjatë periudhës së kaluar ka
zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me institucione dhe kompani relevante çeke të
energjetikës, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e kushteve për partneritete
konkrete.
Në takim u përfundua se tranzicioni energjetik, siguria e furnizimit dhe modernizimi
i infrastrukturës janë fusha në të cilat të dyja vendet kanë interes të përbashkët,
ndërsa ekziston potencial për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve konkrete dhe
përfshirjes së komuniteteve të biznesit.
Takimi Bozhinovska – Macinka është konfirmim se marrëdhëniet tradicionalisht të mira
politike ndërmjet Maqedonisë dhe Çekisë po shndërrohen në një bashkëpunim gjithnjë e
më të fuqishëm ekonomik dhe energjetik, me fokus në investime, teknologji dhe rezultate
konkrete.


