Shtetasi francez Tourpal Khitaev, një tjetër mik i 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendez, që u vra nga Sokrat Vata me thikë pak ditë më parë, ka dhënë detaje se si nisi konflikti që agravoi më pas me përdorimin e thikës.

Sipas dëshmisë së tij, gjithçka nisi pas festës në klubin “Principote”, kur ai dhe miqtë e tij u zhvendosën në zonën e shezlongeve të plazhit. Khitaev ka treguar se pranë tyre ndodheshin disa persona, ndërsa një tjetër person ishte i dehur dhe po bërtiste. Pak më vonë, dy punonjës të lokalit dolën dhe u kërkuan të pranishmëve të mos bënin zhurmë.

“Pasi festuam te klub “Principote” dolëm dhe po qëndronim ne shezlonget e plazhit. Isha me shokun tim Ibraim Leimoeiv dhe po bisedonim. Pranë nesh ishin tre persona me ngjyrë të cilët na thanë: zihuni si burra. Por unë iu thashë se nuk po zihemi, shikoni punën tuaj, ne po bëjmë shaka. Aty pranë ishte dhe një djalë tjetër, i cili ishte i dehur dhe po bërtiste”, ka deklaruar ai.

Sipas turistit, dy persona, të cilët punonin në lokal, u afruan dhe u kërkuan të mos bërtisnin. Ai pretendon se njëri prej tyre, referuar Sokrat Vatës, e ka tërhequr nga krahu ndërsa mbante një thikë në dorë dhe më pas e ka goditur në këmbë. Khitaev ka deklaruar po ashtu se Vata e ka kapur për fyti dhe e ka goditur me kokë në fytyrë, ndërsa ai është kundërpërgjigjur.

LEXO EDHE: Vrasja e portugezit, zbardhet dëshmia e mikut të tij: Po festonim 7 veta! Një person shau nga nëna dhe qëlloi me kokë! Një tjetër erdhi më thikë dhe sulmoi! E goditi në zemër

“Njëri prej tyre më tërheq nga krahu. Ai kishte thikën në dorë dhe më goditi në këmbë. Më pas iu bërtiti të gjithëve të mos bënin zhurmë. I them që nuk jam unë personi që bërtisja dhe ishin të tjerë, por ky person më ofendoi nga nëna. Unë i them që pse e zë nënën time në gojë, unë nuk zura në gojë nënën tënde. Në këtë moment ai më kapi për fyti dhe më goditi me kokë në fytyrë dhe unë ju përgjigja duke e goditur. Unë pas kam rënë në shezllong dhe ai po vazhdonte të më godiste”, shprehet ai.

Khitaev ka treguar gjithashtu se gjatë përleshjes u përfshinë edhe persona të tjerë të cilët nisën të godisnin shokët e tij. Ai ka thënë se për ta mbrojtur ka ndërhyrë Luisi Migueli, por mbeti i vrarë.

“Luisi Migueli u fut për të ndaluar ata që më godisnin dhe më pas unë kam parë atë që shoku im që u vra”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume