Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në New York homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, me të cilin ka diskutuar për avancimin e projekteve të përbashkëta në infrastrukturë dhe energji.

Kurti ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Katër javë më parë ishim bashkë në nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, ndërsa sot me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u takuam në New York në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, me fokus në realizimin e projekteve të përbashkëta.

“Vazhduam bisedën për bashkëpunimin në infrastrukturë e në energji, përkatësisht për avancimin e projekteve të përbashkëta. Theksova rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren-Tetovë, si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, sikurse edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka bërë të ditur se me Mickoskin kanë diskutuar edhe për zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin.

“Gjithashtu biseduam për zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin. U pajtuam të vazhdojmë punën për realizimin e këtyre projekteve, të cilat kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike”, ka shkruar kryeministri.

Kurti ka theksuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar dy vendet si shtete mike dhe partnere.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik”, ka shtuar Kurti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume