Gazetari Përparim Beqiri ka deklaruar se është sulmuar nga Policia e Kosovës gjatë protestës së sotme në Prishtinë, edhe pasi u ka treguar zyrtarëve policorë se është gazetar.

Beqiri ka thënë se Policia i ka hedhur gaz lotsjellës, pavarësisht faktit se ai ua kishte bërë të qartë se ishte duke kryer detyrën e gazetarit.

Rasti ka ndodhur gjatë përplasjeve mes Policisë dhe protestuesve, ku gjatë mbrëmjes janë raportuar dhjetëra raste të përdorimit të forcës dhe gazit lotsjellës.

Vox Kosova ka raportuar për dhjetëra raste të përdorimit të forcës nga Policia ndaj protestuesve, përfshirë edhe persona të moshuar dhe protestues të tjerë të cilët janë përballur me goditje, gaz lotsjellës dhe arrestime.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se 12 persona janë lënduar gjatë protestës, një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 11 civilë.
Syla ka deklaruar se shumica e të lënduarve janë ankuar për pasojat e gazit lotsjellës, ndërsa dy persona kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit.

Të gjithë të lënduarit, sipas tij, janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe më pas janë liruar për në shtëpi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume