Sot, pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, u përballa me një akt të turpshëm dhe të papranueshëm nga disa prej protestuesve të mbledhur para Kuvendit.

Nuk po shkruaj vetëm si deputet i Republikës së Kosovës. Po shkruaj si njeri që ka kaluar nëpër periudha të ndryshme të historisë së këtij vendi dhe që, bashkë me familjen time, kemi dhënë kontributin tonë në luftën e UÇK-së dhe në rrugën e gjatë të lirisë së Kosovës. Ky kontribut është i njohur dhe nuk kam nevojë ta dëshmoj me fjalë.
Prandaj, ajo që ndodhi sot më dhemb jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam.

Nuk i bëjnë nder as atyre që sot ndodhen në Hagë dhe që po përballen me një proces të rëndë.

Dhe një sqarim për ata të identifikuar tani që pas asaj që ndodhi, po kërkojnë takim me mua për kërkim falje: kërkimi i faljes është zgjedhje personale e secilit, por kjo nuk e mbyll rastin.

Edhe urdhërdhënësi i sulmit tash veç se dihet.
Rastin do ta procedoj tutje në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Faleminderit të gjithëve për thirrjet, mesazhet dhe interesimin tuaj. Ju jam mirënjohës për çdo fjalë mbështetjeje dhe përkrahjeje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume