Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka deklaruar se mbështetja e këtij koalicioni në raundin e dytë të zgjedhjeve për Komunën e Bërvenicës nuk është e pakushtëzuar, duke theksuar se gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet fushata e BDI-së dhe AKI-së, raporton Tetovasot.

Kasami nuk dha një përgjigje të prerë nëse VLEN do ta mbështesë kandidatin e AKI-së, Arkin Jahiji, por dërgoi një mesazh të qartë se retorika politike e ditëve në vijim do të jetë vendimtare.

“Ne sigurisht që jemi deklaruar pro, por angazhimi ynë varet nga mënyra se si do të sillet BDI në gjithë këtë periudhë. Nëse BDI do të vazhdojë ta bëjë fushatën kundër VLEN-it, atëherë ata duhet të sqarohen me vetveten”, deklaroi Kasami, raporton Tetovasot.

Ai tha se, sipas tij, përfaqësuesit e AKI-së dhe BDI-së po tentojnë ta paraqesin raundin e dytë si një përballje me VLEN-in, në vend që të fokusohen te gara për drejtimin e komunës.

“Nëse edhe më tutje qëllimi i tyre nuk është të fitojnë Bërvenicën, por të dalin fitues ndaj VLEN-it, atëherë ata me vetëdije po bëjnë një fushatë për ta humbur Bërvenicën”, u shpreh Kasami.

Sipas tij, VLEN nuk mund të garantojë fitoren e kandidatit të AKI-së, pasi përgjegjësia kryesore bie mbi subjektin që e ka propozuar atë.

“Ne mund t’i përkrahim, por nuk mund ta sigurojmë fitoren në raundin e dytë, sepse kandidati është i tyre”, tha ai.

Kasami u bëri thirrje drejtuesve të BDI-së dhe AKI-së që të zhvillojnë një fushatë pozitive dhe të përqendruar te kandidati, e jo te përplasjet politike me VLEN-in.

“Nëse duan dhe besojnë se kanë një kandidat më të mirë për ta udhëhequr Bërvenicën, atëherë le të bëjnë një fushatë të tillë. Nëse duan të tregojnë se e kanë fituar VLEN-in, atëherë ata do ta humbin komunën”, përfundoi Kasami, raporton Tetovasot.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume