Qëndrimi i Qeverisë është që pjesa me shkrim e provimit të jurisprudencës të jepet në gjuhën në të cilën është përfunduar arsimi i lartë, ndërsa pjesa me gojë, ku simulohen një kontest civil dhe një çështje penale, të zhvillohet në gjuhën maqedonase, si gjuhë zyrtare në sistemin e drejtësisë në vend, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me kërkesat e studentëve për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe reagimet e tyre ndaj zgjidhjes së propozuar, Mickoski tha se e drejta për arsim të lartë në gjuhën amtare nuk vihet në diskutim, por se duhet bërë dallim ndërmjet arsimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë.

„Nuk i di përqindjet dhe mënyrën se si i llogarisin. Qëndrimi i Qeverisë është i qartë. Sistemi i drejtësisë në Maqedoni është një gjë, ndërsa e drejta për të përfunduar arsimin e lartë në gjuhën amtare është diçka tjetër. Askush nuk e konteston të drejtën për të përfunduar arsimin e lartë në gjuhën që shteti e ka mundësuar“, tha Mickoski në aktivitetin për promovimin e projektit për blerjen e 100 automjeteve të reja të ambulancës.

Ai theksoi se studimet e larta në fakultetet juridike në vend zhvillohen edhe në tri gjuhë të tjera, përveç maqedonishtes. Për këtë arsye, sipas tij, pjesa me shkrim e provimit të jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën në të cilën kandidati ka përfunduar studimet.

„Për ne si Qeveri, siç kam thënë shumë herë edhe në të kaluarën, është logjike që pjesa me shkrim të jepet në gjuhën në të cilën është përfunduar arsimi i lartë. Ndërsa pjesa me gojë, ku simulohen një kontest civil dhe një çështje penale, përfaqëson një simulim para sistemit të drejtësisë“, deklaroi kryeministri.

Mickoski theksoi se në sistemin e drejtësisë duhet të respektohet parimi franca lingua, përkatësisht përdorimi i një gjuhe të përbashkët, e cila, sipas tij, në Maqedoninë e Veriut është gjuha maqedonase.

Ai iu referua edhe rekomandimit të Komisionit të Venecias lidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se duhet të respektohen qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare.

„Pra, sistemi i drejtësisë në Maqedoni mbetet i bazuar në parimin franca lingua, përkatësisht gjuha maqedonase është gjuha zyrtare“, përfundoi Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume