Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, pas marrjes së detyrës ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe te varret e Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.

Në Prekaz, Shiroka Pula ka nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari, duke e cilësuar këtë vend si simbol të qëndresës dhe sakrificës për atdheun.

“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, ka deklaruar Presidentja.

Më pas, te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova, ajo ka vlerësuar vizionin dhe udhëheqjen e tij gjatë një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, ka thënë Shiroka Pula.

Presidentja ka bërë homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, duke nderuar jetën dhe veprën e tij në shërbim të lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, është shprehur ajo.

Në përfundim të homazheve, Shiroka Pula ka theksuar se kujtimi për këto figura historike shërben edhe si rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

“Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, vizionin dhe qëndresën e brezave”, ka deklaruar Presidentja.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume