Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare për 29 nëntor, pas një periudhe tensioni politik dhe dështimit të qeverisë së tij për të miratuar në Parlament masat emergjente për krizën e strehimit.
Sánchez e bëri njoftimin të hënën përmes një deklarate televizive, duke argumentuar se është e nevojshme të rinovohet mbështetja e qytetarëve për të kapërcyer bllokimin në Parlament. Qeveria e tij socialiste është në pakicë dhe gjatë mandatit të fundit ka pasur vështirësi për të siguruar votat e nevojshme për disa prej nismave kryesore.
Vendimi erdhi vetëm pak ditë pasi Parlamenti rrëzoi dy dekrete të qeverisë për strehimin. Masat parashikonin ndër të tjera mbrojtje më të madhe nga dëbimet, përfshirë ndalimin e tyre për kategori të caktuara deri në vitin 2030, si dhe rregullimin e kontratave të përkohshme të qirasë dhe dhënies me qira të dhomave. Kundër tyre votuan Partia Popullore (PP), Vox dhe partia katalanase Junts.
Kriza e banesave është kthyer ndërkohë në një nga problemet më të mëdha sociale në Spanjë. Rritja e çmimeve të qirave dhe vështirësitë për të siguruar një banesë kanë nxitur protesta në Madrid dhe dhjetëra qytete të tjera. Vetëm në demonstratën e së shtunës në Madrid, autoritetet raportuan rreth 70 mijë pjesëmarrës, ndërsa organizatorët pretenduan një numër shumë më të lartë.