Universiteti i Tetovës, më 10 nëntor 2026 mirëpriti një grup të rinjsh shqiptarë nga diaspora,
pjesëmarrës në programin OriginAL, një iniciativë e pavarur e themeluar në vitin 2022 nga
GERMIN dhe Global Albanians Foundation, që synon forcimin e lidhjeve të brezave të rinj me
vendet e origjinës përmes përvojave edukative, kulturore dhe vullnetare.
Gjatë vizitës, të rinjtë u pritën nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i
shoqëruar nga Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti dhe kryetari i Kuvendit Universitar
të Studentëve, Gent Kurtishi.
Në këtë takim, Rektori i njoftoi pjesëmarrësit me historikun e themelimit të Universitetit të Tetovës,
duke theksuar se ky institucion është rezultat i sakrificave dhe përkushtimit të shumë gjeneratave
shqiptare për realizimin e së drejtës së arsimimit të lartë në gjuhën shqipe. Ai vuri në pah se është e
rëndësishme që të rinjtë e diasporës ta njohin këtë histori, e cila përbën një pjesë të rëndësishme të
trashëgimisë arsimore dhe kombëtare. Njëkohësisht, ai theksoi se Universiteti, krahas zhvillimit si
institucion bashkëkohor, vazhdon të ruajë idealet dhe vlerat mbi të cilat u themelua.
Më pas, vizita vijoi në Fakultetin Filozofik, ku dekania, Prof. Dr. Sheruze Osmani- Ballazhi, dhe
prodekania për arsim Prof. Dr. Fitore Bajrami prezantuan dy video-materiale përmes të cilave
pjesëmarrësit u njohën me sfidat dhe zhvillimin e Universitetit ndër vite.
Përvojën e saj akademike e ndau edhe studentja Nurije Musaj, e cila foli për cilësinë e
mësimdhënies, mbështetjen e profesorëve dhe rëndësinë e praktikës profesionale gjatë studimeve.
Studentët patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të bashkëbisedojnë për programet studimore,
veprimtarinë shkencore, funksionimin e universitetit dhe jetën studentore, duke marrë përgjigje dhe
sqarime nga përfaqësueset e Fakultetit Filozofik.
Përmes programit OriginAL synohet krijimi i lidhjeve ndërmjet të rinjve të diasporës dhe vendeve
të origjinës, duke nxitur njohjen e trashëgimisë, forcimin e identitetit dhe angazhimin e tyre në
zhvillimin e komuniteteve.
Në realizimin e kësaj vizite kontribuoi edhe organizata “Loja” nga Tetova, si partnere e programit
OriginAL, që mbështet nismat për afrimin e diasporës me kulturën, trashëgiminë dhe institucionet
shqiptare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume