Tokio – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, gjatë vizitës zyrtare në Japoni zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të institucioneve arsimore, shkencore dhe shtetërore japoneze, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe hapjen e mundësive të reja për partneritete në fushën e arsimit dhe shkencës informon Tetovasot.
Në takimin me ministrin japonez për Arsimin, Kulturën, Sportin, Shkencën dhe Teknologjinë, Yoshihiro Seki, u diskutua për organizimin e sistemeve arsimore në të dyja vendet, nxitjen e kërkimit shkencor dhe mundësitë për iniciativa të përbashkëta.
Një nga temat kryesore ishte mundësia e mbështetjes japoneze për krijimin e qendrave të ekselencës në Maqedoninë e Veriut.
“Japonia është një partner strategjik afatgjatë i vendit tonë. Falënderojmë për mbështetjen e deritanishme, veçanërisht për mundësitë që u ofrohen studentëve maqedonas përmes bursave në universitete prestigjioze japoneze, si dhe për ndihmën në modernizimin teknik dhe pajisjen e shkollave”, deklaroi Janevska transmeton Tetovasot.
Gjatë vizitës në Institutin Kombëtar për Politikat Arsimore të Japonisë, ministrja u takua me drejtoreshën e përgjithshme Mizue Shiomi, ku u shkëmbyen përvoja për metodat bashkëkohore të mësimdhënies, zhvillimin e mendimit kritik dhe kreativ te nxënësit, si dhe përgatitjen për testimet ndërkombëtare PISA, ku Japonia renditet ndër vendet me rezultatet më të larta.
Janevska zhvilloi takim edhe me zëvendësministren parlamentare për Punë të Jashtme të Japonisë, Ikuina Akiko, ku u diskutuan mundësi të reja për projekte të përbashkëta. Në këtë drejtim u theksua edhe roli i organizatave japoneze JETRO dhe JICA në zhvillimin e bashkëpunimeve të reja.
Në Universitetin e Tokios, ministrja Janevska bisedoi me presidentin e universitetit, prof. dr. Teruo Fuji, për intensifikimin e bashkëpunimit me universitetet maqedonase, përfshirjen në programe ndërkombëtare si “Horizon Europe”, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe krijimin e partneriteteve të reja akademike.
Vizita në Japoni përfshiu edhe takime në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Tokio, me studentë maqedonas, ish-ambasadorin japonez në vend dhe nxënës japonezë që mësojnë gjuhën maqedonase.
Takimet në Tokio vlerësohen si një hap i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për krijimin e mundësive të reja për shkëmbim të njohurive, përvojave dhe ekspertizës në fushën e arsimit dhe shkencës.TS





