Kompanitë që gjatë tre muajve të fundit kanë kryer rregullisht pagesat e pagave përmes „ALTA Bankës“ SHA Manastir do të mund të vazhdojnë pagesën e pagave për punonjësit, së bashku me pagesën e tatimeve dhe kontributeve përkatëse. Kjo mundësohet nga ndryshimi më i fundit i Vendimit për administrim të Bankës Popullore, me të cilin po lehtësohen gradualisht kufizimet për klientët e Bankës.

Kjo mundësi vlen për kompanitë për të cilat pagesa e pagave përmes llogarive pagesore në „ALTA Bankë“ ishte bërë praktikë e rregullt, përkatësisht për ato që e kanë shfrytëzuar vazhdimisht Bankën për këtë qëllim gjatë tre muajve para miratimit të vendimit.

Ndërkaq, shuma e mjeteve që kompanitë do të mund të përdorin nga llogaritë e tyre pagesore për kryerjen e pagesave të pagave mund të jetë deri në pesë për qind më e lartë se shuma e përgjithshme e pagave të paguara gjatë muajit tetor.

Nga Banka Popullore theksojnë se me këtë ndryshim mundësohet vazhdimi i proceseve ekzistuese të pagesës së pagave dhe përmbushja e detyrimeve ndaj punonjësve dhe shtetit, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin mbi daljen e mjeteve financiare nga Banka.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume