Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AVMU) ka reaguar ashpër ndaj përmbajtjeve të publikuara në rrjetin social Facebook, të drejtuara kundër gazetares Milka Smilevska, duke vlerësuar se ato përmbajnë kërcënime serioze dhe thirrje të drejtpërdrejta për dhunë fizike.

Sipas AVMU-së, mesazhet e publikuara tejkalojnë kufijtë e shprehjes së lirë dhe të kritikës së lejuar, pasi përveç gjuhës fyese dhe shqetësuese, përmbajnë edhe thirrje eksplicite për dhunë.

Tetovasot raporton se Agjencia rikujton se çdo qytetar ka të drejtë të mos pajtohet me qëndrimet apo punën profesionale të gazetarëve dhe ta shprehë publikisht kritikën e tij, por kjo duhet të bëhet përmes argumenteve, fakteve dhe debatit demokratik, e jo përmes fyerjeve, diskreditimit personal, frikësimit apo nxitjes së dhunës.

AVMU veçon se komentet e publikuara nën një fotomontazh me figurën e gazetares, përfshirë edhe komentin me përmbajtje kërcënuese për “thyerjen e eshtrave”, përbëjnë thirrje të qarta për dhunë fizike dhe nuk mund të arsyetohen me lirinë e shprehjes.

Tetovasot mëson se Agjencia u bën thirrje institucioneve kompetente që t’i trajtojnë me seriozitet raste të tilla dhe të ndërmarrin masat e nevojshme në përputhje me ligjin.

Në reagimin e saj, AVMU thekson se në një shoqëri demokratike mendimet e ndryshme duhet të përballen përmes debatit të argumentuar dhe jo përmes kërcënimeve apo dhunës, duke nënvizuar se gazetarët duhet të jenë në gjendje ta ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm, në mënyrë të pavarur dhe pa frikë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume