Projekti “Qytet i Sigurt” (Safe City) i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka fituar vendin e parë në kategorinë “Ekselenca në Sigurinë në Trafik” në Samitin Botëror të Policisë që mbahet në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili theksoi se ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për rezultatet e arritura në përmirësimin e sigurisë në komunikacion.

Tetovasot raporton se projekti maqedonas u shpall fitues përballë projekteve të Policisë së Singaporit, Policisë së Abu Dhabit, Autoritetit për Rrugë dhe Transport të Dubait dhe Policisë së shtetit indian Maharashtra.

Në garë morën pjesë mbi 700 nominime nga më shumë se 60 shtete, ndërsa fituesit u zgjodhën nga një komision i pavarur ekspertësh, përmes vlerësimit të detajuar të rezultateve teknologjike dhe operative.

“Kur e nisëm projektin ‘Qytet i Sigurt’, shumëkush dyshonte se më në fund do të funksiononte sistemi për të cilin flitej prej vitesh. Sot kam nderin të njoftoj se Maqedonia fitoi vendin e parë për ekselencë në sigurinë rrugore në Samitin Botëror të Policisë në Dubai”, deklaroi Toshkovski.

Sipas ministrit, ky sukses dëshmon se edhe Maqedonia ka kapacitet të zbatojë reforma moderne dhe të arrijë rezultate që njihen në nivel ndërkombëtar.

Tetovasot mëson se rezultatet e projektit kanë sjellë ulje të ndjeshme të viktimave në komunikacion. Në periudhën janar–tetor 2026 në rrugët e vendit kanë humbur jetën 85 persona, krahasuar me 117 në vitin 2025 dhe 119 në vitin 2024, që paraqet një ulje prej 27,4 për qind.

Po ashtu, numri i personave me lëndime të rënda është ulur nga 872 në 748, ose 124 raste më pak, që përkthehet në një rënie prej 14,2 për qind.

Ministri theksoi se këto rezultate janë arritur falë funksionimit të sistemit “Qytet i Sigurt”, kontrolleve të shtuara policore, ndryshimeve ligjore dhe aktiviteteve parandaluese.

Ai rikujtoi se gjatë 15 viteve të fundit në rrugët e Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën 2.131 persona, duke theksuar se synimi afatgjatë mbetet “Vizioni Zero”, pra një trafik pa viktima dhe pa persona të lënduar rëndë.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimit do të mbahet më 18 nëntor 2026 në Dubai. Tetovasot do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet lidhur me këtë projekt dhe zbatimin e tij në praktikë.

Awards

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume