Blerim Sejdiu: Papunësia në Maqedoninë e Veriut bie në 11.5%, mbi 10 mijë të punësuar më shumë gjatë vitit 2025
Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka publikuar të dhëna statistikore për tregun e punës, duke theksuar uljen e papunësisë dhe rritjen e numrit të të punësuarve gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin paraprak.
Sipas të dhënave që ka publikuar Sejdiu, shkalla e papunësisë në vitin 2024 ishte 12.4%, ndërsa në vitin 2025 ka zbritur në 11.5%.
Ai thekson se numri i qytetarëve të punësuar është rritur nga 694.506 në vitin 2024, në 704.617 në vitin 2025, që paraqet 10.111 të punësuar më shumë.
Po ashtu, sipas statistikave vjetore të publikuara nga Sejdiu, numri i të papunëve është zvogëluar për 6.6% gjatë vitit 2025, në krahasim me vitin 2024.
Duke komentuar këto rezultate, kreu i Zhelinës ka vlerësuar se ato janë dëshmi e punës dhe përgjegjësisë.
“Kështu ndodh, kur përgjegjësia përkthehet me punë dhe rezultate”, ka shkruar Blerim Sejdiu në postimin e tij.