Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka deklaruar se provimi i jurisprudencës duhet të zbatohet edhe në gjuhën shqipe, duke kundërshtuar hapjen e debatit për interpretimin e statusit zyrtar të gjuhës shqipe.

Duke folur në emisionin “VERDICT” në TVM2, Osmani tha se gjuha shqipe është zyrtare edhe në gjyqësor dhe në institucionet ku përfshihet edhe institucioni përgjegjës për organizimin e provimit të jurisprudencës.

“Fillimisht nuk do të lejonim debat mbi interpretimin. Gjuha shqipe është zyrtare edhe në gjyqësor, edhe në institucione ku bie edhe ky institucion në të cilin jepet provimi i jurisprudencës, dhe ai duhet të implementohet”, deklaroi Osmani.

I pyetur nga gazetari se edhe në gjyqësor nuk zbatohet plotësisht gjuha shqipe, Osmani tha se kjo nuk nënkupton se zbatimi i saj është i pamundur.

“Po nuk zbatohet, por nuk do të thotë që nuk mundet të zbatohet. Këtu dua ta dalloj unë ndërmjet ‘nuk mundet’ edhe ‘nuk duhet’”, theksoi ai.

Sa i përket periudhës kur BDI ishte pjesë e Qeverisë, Osmani rikujtoi se Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte miratuar në vitin 2019 dhe se gjatë pesë viteve deri në vitin 2024 ishte punuar në shtrirjen e zbatimit të tij në institucione.

Ai tha se procesi kërkonte kohë për ndërtimin e kapaciteteve institucionale, punësimin dhe trajnimin e kuadrove, si dhe krijimin e kushteve për zbatimin e plotë të dygjuhësisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume