Kryeprokurorja e re e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Iskra Haxhi Vasileva, ka deklaruar se në listën e kontakteve të saj telefonike nuk e ka numrin e kryeministrit aktual, as të ish-kryeministrave apo politikanëve të tjerë.

Në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT 1, ajo ka theksuar se, pavarësisht mungesës së kontakteve personale me politikanët, puna e prokurorisë ndonjëherë kërkon komunikim dhe koordinim me përfaqësues të institucioneve të pushtetit ekzekutiv.

“Personalisht nuk e kam numrin e kryeministrit, as të kryeministrit aktual, as të kryeministrave të kaluar, e as të politikanëve. Por, nëse drejtuesi i Prokurorisë për Krim të Organizuar mund dhe duhet të ketë komunikim me përfaqësues të institucioneve, për këtë nuk kam asnjë dilemë, sepse vetë puna jonë e kërkon dhe do ta kërkojë edhe në të ardhmen”, deklaroi Haxhi Vasileva.

Ajo shpjegoi se puna e këtij institucioni përfshin situata në të cilat është i nevojshëm koordinimi i disa institucioneve dhe organeve shtetërore, prandaj komunikimin institucional me pushtetin ekzekutiv nuk e konsideron problem në vetvete.

Megjithatë, Haxhi Vasileva theksoi se drejtuesi i prokurorisë duhet të jetë i kujdesshëm edhe në raport me kontaktet me persona ndikimi i të cilëve buron nga biznesi dhe qendra të tjera të fuqisë. E pyetur nëse në telefonin e saj ka numra të tillë, ajo u përgjigj shkurt: “Jo”.

Gjatë intervistës, ajo u pyet edhe se kujt ia ka borxh zgjedhjen në këtë pozitë.

“Askujt, përveç kolegëve të mi që më kanë votuar dhe që kanë menduar se unë jam zgjedhja e duhur për të drejtuar këtë prokurori”, u përgjigj ajo.

E pyetur nëse i detyrohet edhe interesit publik, Haxhi Vasileva u përgjigj pozitivisht, duke shtuar se besimi i kolegëve për të përbën njëkohësisht nder dhe përgjegjësi për avancimin e standardeve dhe dinjitetit të profesionit.

Sa i përket mundësisë së lobimeve partiake dhe politike gjatë procesit të zgjedhjes, ajo tha se kishte dëgjuar biseda në prapaskenë dhe supozon se ka pasur lobime, por nuk e di nëse ato kanë qenë të karakterit partiako-politik.

“Supozon se ka pasur lobime. Se sa kanë qenë ato partiako-politike apo pjesë e një tërësie më të gjerë të lobimeve nga grupe të ndryshme interesi, qendra të fuqisë dhe qarqe biznesi, unë do ta shihja këtë çështje më gjerë”, deklaroi ajo.

Ndërsa, e pyetur nëse kishte pasur lobim në favor të kandidaturës së saj, Haxhi Vasileva u përgjigj: “Në favorin tim – jo”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume