DELEGACIONI I KUVENDIT MORI PJESË NË KONFERENCËN E TRETË NË ASHGABAT MBI PËRPARIMIN E SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE, DIALOGUT,BESIMIT DHE SIGURISË NË RAJONIN E OSBE-SË
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga Monika
Zajkova, nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe shefe e Delegacionit të
Kuvendit në AP-në e OSBE-së, dhe Mimoza Musa, anëtare e Delegacionit, mori pjesë në
Konferencën e Tretë në Ashgabat me temë: "Parlamentet në përparimin e së drejtës
ndërkombëtare për dialog, besim dhe siguri në rajonin e OSBE-së", që u mbajt më 17 dhe
18 nëntor 2026, në Ashgabat, Turkmenistan.
Konferenca u organizua nga AP-ja e OSBE-së, në bashkëpunim me Mexhlisin (Kuvendin) e
Turkmenistanit, dhe në të morën pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, përfshirë deputetë
nga rreth njëzet vende, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të lartë të vendit pritës
dhe OSBE-së, me qëllim të shkëmbimit të mendimeve dhe përvojave mbi rolin e
parlamenteve në respektimin dhe përparimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e besimit
të ndërsjellë dhe ndërtimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e OSBE-së.
Evenimenti dyditor filloi me fjalimet e përshëndetjes nga Dunjagozel Gulmanova, kryetare e
Mexhlisit të Turkmenistanit, Mikita Poturaev, kryetare e AP-së së OSBE-së, dhe Roberto
Montella, sekretar i përgjithshëm i AP-së së OSBE-së. Në fjalimet e tyre, ata e theksuan
rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me
sfidat bashkëkohore, si dhe nevojën për respektimin konsekuent të së drejtës
ndërkombëtare si bazë për dialog, besim dhe stabilitet.
Sesioni i parë iu kushtua temës: "Barazia sovrane dhe parimet e përbashkëta: diplomacia
parlamentare në respektimin e së drejtës ndërkombëtare". Diskutimi i sesionit të dytë me temën “Siguria ekologjike, rezistenca klimatike dhe parandalimi i fatkeqësive natyrore: e
drejta ndërkombëtare dhe veprimi parlamentar” u përqendrua në ndikimin e ndryshimeve
klimatike dhe rreziqeve ekologjike në siguri, si dhe në nevojën për parandalimin në kohë
dhe forcimin e përgatitjes institucionale.
Në këtë sesion, deputetja Mimoza Musa iu drejtua të pranishmëve, duke theksuar se
siguria ekologjike është një pjesë e pandashme e konceptit modern të sigurisë dhe se
ndryshimet klimatike, mungesa e ujit, thatësirat, përmbytjet dhe zjarret në pyje kërkojnë
përgjigje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Duke iu referuar përvojës së Maqedonisë
së Veriut me zjarret në pyje në vitin 2024, e theksoi rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar
dhe ndihmën e marrë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. E
theksoi veçanërisht bashkëpunimin rajonal brenda kornizës së pellgut të zgjeruar të Lumit
të Drinit, si dhe rolin e parlamenteve në ndjekjen e zbatimit të politikave klimatike, mbrojtjen
e burimeve ujore dhe uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore. Ajo theksoi se parandalimi
dhe përgatitja nuk janë vetëm detyrim teknik i institucioneve kompetente, por edhe çështje
e përgjegjësisë politike, qeverisjes së mirë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në këtë
drejtim, Musa tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të përparojë sigurinë ekologjike,
rezistencën klimatike dhe bashkëpunimin rajonal, me respektimin konsekuent dhe zbatimin
praktik të së drejtës ndërkombëtare.
Monika Zajkova, në cilësinë e nënkryetares së AP-së së OSBE-së, e moderoi sesionin e
tretë, me titull: “Parashikimi i zhvillimit teknologjik: E drejta ndërkombëtare dhe qeverisja
parlamentare për një të ardhme të sigurt, humane dhe demokratike”. Diskutimi iu kushtua
ndikimit të inteligjencës artificiale, sistemeve autonome dhe platformave digjitale në
shoqëri, institucioneve demokratike, të drejtave të njeriut dhe sigurisë ndërkombëtare, si
dhe nevojës për mekanizmat e përshtatshëm juridikë dhe institucionalë për rregullimin e
tyre.
Në fjalimin e saj të hapjes, Zajkova e theksoi rëndësinë e qasjes ndaj zhvillimit teknologjik
të përqendruar te njeriu, të drejtat e njeriut dhe siguria. Ajo iu referua aktiviteteve të AP-së
së OSBE-së në fushën e inteligjencës artificiale, duke theksuar nevojën për rregullimin
transparent dhe të përgjegjshëm, mbrojtjen e privatësisë dhe parandalimin e keqpërdorimit
të teknologjive të reja. Theksoi se e drejta ndërkombëtare duhet të mbetet e rëndësishme
dhe efikase edhe në kushtet e ndryshimeve të shpejta teknologjike, ndërsa parlamentet
kanë rol vendimtar në sigurimin e mbikëqyrjes demokratike, llogaridhënies dhe
përgjegjësisë në zbatimin e teknologjive të reja. Më pas, theksoi se zhvillimi teknologjik ka
ndikim në të tre dimensionet e qasjes gjithëpërfshirëse të OSBE-së ndaj sigurisë:
dimensionin politiko-ushtarak, ekonomiko-ekologjik dhe njerëzor, prandaj është i
domosdoshëm bashkëpunimi i forcuar ndërkombëtar dhe ndërparlamentar. Ajo bëri thirrje
për njohjen në kohë të rreziqeve të mundshme, avancimin e edukimit digjital dhe
përshtatjen e kornizave juridike dhe institucionale me realitetet e reja teknologjike, në
mënyrë që përparimi teknologjik të kontribuojë në forcimin e demokracisë, paqes dhe
sigurisë.
Sesioni përmbyllës i Konferencës theksoi nevojën për të vazhduar dialogun dhe
bashkëpunimin parlamentar me qëllim të përparimit të së drejtës ndërkombëtare dhe
përballjes me sfidat e përbashkëta në rajonin e OSBE-së.
Pjesëmarrja e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në
Konferencën e Tretë në Ashgabat ishte mundësi për të kontribuar në mënyrë aktive në
diskutimet parlamentare mbi sfidat aktuale ndërkombëtare, të sigurisë, ekologjike dhe
teknologjike, si dhe për të afirmuar më tej rolin e delegacionit në punën e Asamblesë
Parlamentare të OSBE-së.



