Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike, MEMO ShPKNJP Shkup, ka njoftuar se nga sot ka mundësuar dorëzimin e ofertave dhe urdhrave për tregtim me çmime negative në tregun e organizuar të energjisë elektrike informon Tetovasot.

Sipas MEMO-s, ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe në harmonizimin e pragjeve minimale dhe maksimale të çmimeve me bursat evropiane të energjisë elektrike, si për tregun “dita në avancë”, ashtu edhe për tregun brenda ditës.

Me ndryshimet e reja, në tregun “dita në avancë” (MATS) kufijtë e çmimeve ndryshojnë nga intervali i deritanishëm prej 0,10 deri në 1.000 euro për MWh, në një interval të ri prej -600 deri në 4.000 euro për MWh.

Ndërkohë, në tregun brenda ditës (M7), kufijtë zgjerohen nga 0,10 deri në 9.999,99 euro për MWh, në një interval prej -9.999,99 deri në +9.999,99 euro për MWh.

Nga MEMO sqarojnë se futja e mundësisë për tregtim me çmime negative nuk do të thotë se tregu automatikisht do të ketë çmime negative, por se pjesëmarrësit do të kenë më shumë fleksibilitet për të menaxhuar pozicionet e tyre në varësi të ofertës dhe kërkesës.

“Në periudha kur prodhimi i energjisë elektrike tejkalon konsumin, çmimet negative shërbejnë si sinjal për menaxhim më të mirë të prodhimit, rritje të konsumit ose aktivizim të kapaciteteve shtesë për fleksibilitet dhe ruajtje të energjisë”, theksojnë nga MEMO.

Sipas operatorit, kjo zgjidhje është veçanërisht e rëndësishme për prodhuesit e energjisë nga burimet e rinovueshme, sidomos centralet diellore, të cilat prodhojnë më shumë energji gjatë orëve me rrezatim më të lartë diellor. Në këto raste, çmimet negative nxisin planifikim më të saktë të prodhimit, investime në sisteme baterike për ruajtjen e energjisë dhe përdorimin e teknologjive moderne për menaxhimin e saj.

MEMO thekson se përvoja evropiane tregon se çmimet negative po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në tregjet moderne të energjisë elektrike, sidomos me rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme.

“Me këtë ndryshim, tregu energjetik i Maqedonisë afrohet edhe më shumë me praktikat evropiane dhe kontribuon në ndërtimin e një tregu modern, transparent, konkurrues dhe efikas të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e MEMO-s.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume