Dyshime për një operacion rus në Ukrainë, 23 ushtarë dyshohet se u helmuan përmes takimeve të kurdisura
Autoritetet ukrainase kanë nisur hetimet për një seri që u kanë marrë jetën 23 ushtarëve të vendit, ndërsa dyshimet e para lidhen me një operacion të organizuar nga shërbimet sekrete ruse. Sipas hetimeve, agjentët rusë dyshohet se kanë përdorur vajza të mitura për të joshur ushtarët ukrainas në takime private, ku më pas u janë dhënë substanca helmuese.
Sipas medias ukrainase “Slidstvo.Info”, autoritetet po hetojnë gjithsej 21 raste të helmimit të ushtarëve. Ekzaminimet mjeko-ligjore kanë zbuluar se në të paktën 13 prej tyre është përdorur metadoni në doza vdekjeprurëse.
Hetuesit dyshojnë se operacioni është organizuar nga shërbimet ruse, të cilat rekrutonin vajza përmes rrjeteve sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe faqeve të takimeve, duke i përdorur më pas për të afruar ushtarët ukrainas.
Një nga rastet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është pikërisht ai i 14-vjeçares. Sipas raportimit, vajzës i ishte kërkuar të përdorte grim për t’u dukur më e madhe në fotografi, të cilat më pas shërbyen për të krijuar kontakt me një ushtar ukrainas.
Gjatë takimit privat, e mitura mbante komunikim me personin që dyshohet se drejtonte operacionin nga pala ruse, përmes një lidhjeje video.
Kur ushtari nisi të shfaqte shenja helmimi, vajza, në vend që të kërkonte ndihmë mjekësore, dyshohet se tentoi ta mbyste me një jastëk dhe një kabllo.
Hetimet paraprake vijojnë për të gjitha rastet, ndërsa autoritetet ukrainase po përpiqen të zbardhin plotësisht mënyrën e organizimit të këtyre helmimeve dhe personat që qëndrojnë pas tyre.