Volodymyr Zelensky ka zbuluar detaje nga negociatat trepalëshe të zhvilluara në Abu Dhabi, që synojnë avancimin drejt një marrëveshjeje për fundin e konfliktit tashmë mbi 4 vjecar.

Presidenti ukrainas bëri të ditur se pretendimi i përfaqësuesve rusë ishte se Moska ka marrë nën kontroll edhe gjysmën e territorit të Donbasit që aktualisht kontrollohet nga Ukraina.

Gjatë një bisede me gazetarët, Zelensky rrëfeu se ishte informuar për këto pretendime pas marrjes së raportit të dytë nga delegacioni ukrainas që po merrte pjesë në negociatat në Lindjen e Mesme. “Ata më thanë se rusët besojnë dhe deklarojnë se tashmë kanë pushtuar gjysmën e Donbasit që ende kontrollohet nga ne. Ekipi ynë iu përgjigj: ‘Nuk e dime se nga dilni me pretendime të tilla.

Kemi pamje filmike, fotografi dhe dëshmi të tjera që tregojnë se këto territore janë ende nën kontrollin tonë’”, u shpreh ai. Rusia kontrollon një pjesë të konsiderueshme të rajonit të Donbasit, ndërsa në të kaluarën ka kërkuar që Ukraina t’ia dorëzojë të gjithë territorin si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Kievi i ka kundërshtuar vazhdimisht këto kërkesa. Mospërputhjen mes pretendimeve të dy palëve, Zelensky e përshkroi si një nga pengesat kryesore në negociata, duke shtuar se shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, “jeton në një realitet tjetër”.

Sipas presidentit ukrainas, edhe pala amerikane ka konfirmuar qëndrimin e delegacionit të Kievit lidhur me kontrollin e këtyre territoreve. Zelensky vlerësoi se këto mospajtime dëshmojnë se negociatat në Abu Dhabi, në formatin aktual ku marrin pjesë dhe të dërguar të presidentit Donald Trump, nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur çështjet kryesore të luftës.

Sipas tij, për të arritur përparim konkret drejt paqes, është e nevojshme që negociatat të zhvillohen drejtpërdrejt mes liderëve të vendeve të përfshira.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume