Një futbollist ekuadorian është dënuar me tetë vjet pezullim nga çdo aktivitet futbollistik, pasi e goditi me gur në fytyrë një gjyqtar anësor, i cili si pasojë pësoi lëndime të rënda dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Ngjarja e rëndë ndodhi në muajin tetor, gjatë ndeshjes së kategorisë së tretë në Ekuador, mes Club Ciudad de Yantzaza dhe Club Rio Aguarico FC.
Futbollisti Jhon Perlaza, i cili në atë kohë ishte në stolin rezervë të skuadrës së Yantzazas, e hodhi një gur në drejtim të gjyqtarit anësor Lenin Giovanni Ojeda Nunez, në minutën e 96-të të takimit.
Goditja në fytyrë bëri që gjyqtari të rrëzohej menjëherë në tokë, duke mbajtur fytyrën me duar. Atij iu dha ndihma e parë mjekësore, ndërsa ndeshja u ndërpre dhe nuk vazhdoi më.
Federata e Futbollit e Ekuadorit (FEF) konfirmoi se gjyqtari pësoi lëndime serioze, të cilat kërkuan ndërhyrje kirurgjikale dhe një periudhë rikuperimi prej 60 ditësh.
Pas shqyrtimit të rastit, komisioni disiplinor e shpalli fajtor Perlazën për sulm fizik ndaj një zyrtari të ndeshjes dhe e dënoi me tetë vjet pezullim, deri më 19 tetor 2034.
Për më tepër, federata ekuadoriane bëri të ditur se do t’i kërkojë FIFA-s që ky dënim të shtrihet në nivel ndërkombëtar, në mënyrë që futbollisti të mos mund të jetë pjesë e aktiviteteve futbollistike edhe jashtë Ekuadorit.
Ndëshkimi nuk përfundoi vetëm me futbollistin. Klubi Yantzaza u gjobit me 2 mijë dollarë, ndërsa u obligua të mbulojë edhe shpenzimet mjekësore të gjyqtarit, në vlerë prej 4 mijë e 369 dollarësh.
Ndërkohë, klubi kishte reaguar menjëherë pas incidentit, duke kërkuar falje publike ndaj ekipit të gjyqtarëve dhe tifozëve. Yantzaza konfirmoi gjithashtu se Perlaza ishte larguar menjëherë nga klubi, duke dënuar ashpër çdo formë të dhunës në sport.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa dënimi prej tetë vjetësh për futbollistin konsiderohet një masë e rëndë disiplinore ndaj dhunës kundër zyrtarëve të ndeshjes.